
Vendimi i sotëm i Hagës ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është i rëndë dhe tronditës për Kosovën. Bota shqiptare e përjeton atë si një goditje pas shpine nga një gjykatë e kontrolluar nga Perëndimi ndaj atyre që ajo i ka vendosur në piedestalin e historisë së saj si çlirimtarë të Kosovës.
Dhe zemërimi është i natyrshëm. Edhe teprimi, banaliteti dhe ndoshta thirrjet e dhunshme janë të shpjegueshme.
Një shoqëri e përgatitur për një fitore në Gjykatën e Hagës tani po reagon e çoroditur dhe si e pashpresë përballë këtij vendimi.
Çfarëdo që të ndodhë sot e tutje për ta, edhe në u dënofshin me 81 vjet, edhe në u lirofshin nga Apeli dhe të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë, ajo që ata kanë bërë për Kosovën dhe për veten e tyre nuk përsëritet më dhe askush nuk mund t’i zbresë nga ai piedestal.
Ndaj çdo reagim ekstrem, që dëmton sot shtetin e Kosovës me arsyetimin se po mbron historinë e heronjve të saj, u bën më shumë dëm heronjve të Kosovës, i bën më shumë dëm Hashim Thaçit dhe shokëve të vet.
Ata që pranuan të dilnin në mal dhe të vdisnin për Kosovën, e bënë që të kishin një shtet të Kosovës dhe ia arritën. Ndaj tani çdo përpjekje për të dëmtuar shtetin në emër të lirisë së tyre jo vetëm i fyen dhe i dëmton ata, por ua hedh në erë veprën më të madhe të jetës së tyre, që nuk është liria e tyre personale, por liria e Kosovës.
Ky është një dëm që u bëhet Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Ata mund të ishin vrarë të katërt në luftë, pasi për t’u vrarë dolën në mal. Fati i bëri ata udhëheqës të luftës dhe të shtetit të ri të Kosovës.
Kjo betejë nuk fitohet duke sulmuar Perëndimin, duke djegur flamuj apo duke e paraqitur Kosovën si viktimë të një komploti të të gjithë aleatëve të saj. Ajo fitohet duke e zbërthyer aktgjykimin, duke kundërshtuar provat, mënyrën si është ndërtuar përgjegjësia individuale dhe, mbi të gjitha, duke ngritur çështjen e dukshme të proporcionalitetit të dënimeve.
Gjykata e Hagës bëri një gjest historik duke mos pranuar akuzat për krime kundër njerëzimit. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe politike për Kosovën, pasi ruan rëndësinë e luftës së UÇK-së, drejtësinë e saj dhe të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për liri. Prokuroria nuk arriti të provonte se kishte ekzistuar një sulm i përhapur ose sistematik kundër popullsisë civile si të tillë. Sipas arsyetimit të shpallur nga Gjykata, viktimat ishin përzgjedhur kryesisht si individë të konsideruar kundërshtarë apo bashkëpunëtorë të forcave serbe.
Kosova duhet ta ndjekë këtë betejë me të gjithë seriozitetin e një shteti dhe jo ta kthejë në një çështje kuslishash dhe idiotësish të ministrave të saj të Drejtësisë, që sillen me gjyqin e Hagës si me votat për një kuvend komunal, duke degraduar seriozitetin e shtetit. Madje edhe Shqipëria mund të ndajë legalisht një fond prej miliona eurosh në dispozicion të sqarimit dhe hetimit të këtyre akuzave në Apel, për të mos e lënë fatin e luftëtarëve të lirisë në orekset politike të Prishtinës dhe llogaritë e tyre politike.
E rëndësishme është të shmangim çdo reagim që mund ta izolojë Kosovën, të cilën boll e kanë izoluar këta që e qeverisin. Është e tepërt t’i shtohet edhe një rreth tjetër këtij izolimi nga Gjykata e Hagës.
Kush e shndërron zemërimin ndaj një vendimi gjyqësor në urrejtje kundër Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian apo NATO-s, nuk po i ndihmon katër heronjtë e saj të dënuar nga Gjykata.
Sot Kosova duhet të jetë e bashkuar, por jo e verbuar nga zemërimi. Duke mbrojtur katër udhëheqësit e saj, Kosova duhet të mbrojë pikërisht veprën e tyre më të madhe: aleancën me Perëndimin.
Hashim Thaçi në tokë dhe NATO-ja në qiell e çliruan një herë Kosovën, kurse Hashim Thaçi në Hagë dhe gurët mbi ambasadat perëndimore mund ta varrosin atë.
Beteja për lirinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk fitohet duke e lënë Kosovën pa miq. Ajo është një fitore e Pirros, të cilën të parët që do ta neverisnin do të ishin ata të katërt në qelitë e Hagës. Ajo Kosovë nuk i duhet askujt, përveç atyre që e kanë pasur para vitit 1990 dhe që shqiptarët, në fillim me Ibrahim Rugovën dhe më pas me UÇK-në dhe NATO-n, ua hoqën nga duart.
Hashim Thaçi e ka më të lehtë të vdesë në burgun e Hagës sesa të dalë nga burgu dhe ta gjejë Kosovën në një burg të ri, të armiqësuar me ata që e çliruan. Mos ia vrisni ëndrrën që e fitoi me luftë.