Projektbuxheti për vitin 2019 është parapri të votohet nesër.
Por, votat për këtë projektbuxhet nuk janë ende të sigurta.
Ekspertët tërheqin vërejtjen për pasojat për shtetin nëse buxheti nuk do të kalojë.
Madje, edhe vonesat në miratimin e Projektligjit për buxhetin 2019 mund të shfaqin pasoja si ndalja e të gjitha shërbimeve, siç janë pagat, blerjet, furnizimi, investimet e shumë projekte kapitale.
Ndërsa, nëse buxheti nuk arrin të votohet deri në fillim të muajit mars, atëherë rrezikon të bjerë Qeveria.
Agim Krasniqi, ish-drejtor i Buxhetit në Qeverinë e Kosovës, thotë për kallxo.com se deri në muajin e tretë të këtij viti duhet të ketë patjetër një vendim të Kuvendit për arkën e shtetit.
“Në rast se nuk ndodhë aprovimi i buxhetit Qeveria nuk ka të drejtë të shpenzojë asnjë mjet me përjashtim që ministri dhe thesari janë të autorizuar të bëjnë pagesa për larje të borxhit. Pasojat në rastin tonë nëse nuk aprovohet buxheti – shërbimet ndalen për paga, blerje, furnizim, investime, e gjitha shpenzime e tjera”, tha ai.
Krasniqi shtoi se nëse nuk kalon buxheti dhe bie Qeveria, kriza e buxhetit nuk zgjidhet, pasi krijimit të Qeverisë i duhet kohë dhe më pas buxheti duhet të rishqyrtohet.
“Nëse aprovohet buxheti me vonesë sërish rrezikohen projektet kapitale, megjithëse ka ende kohë. Buxheti mund të aprovohet deri në fund të shkurtit ose në mars, pasi është afati i fundit. Pjesa e të hyrave në buxhet realizohet pa problem, s’e pengon askush këtë pjesë”, theksoi ai.
Ndërkaq, eksperti i fushës së ekonomisë, Hekuran Murati, tha për kallxo.com se nëse deri të enjten nuk kalon buxheti dhe nuk ka vendim të Kuvendit për zgjatje të alokimit mujor për muajin shkurt, atëherë, sipas tij, që nga data 1 shkurt Qeveria hyn në “shut-doën”, dhe nuk mund të bëjë asnjë shpenzim të vetëm, duke përjashtuar pagesat për borxhin publik.
“Në rast se Qeveria hyn në ‘shut-doën’, atëherë nuk mund të paguhen pagat, pensionet, e madje as faturat për shërbime tjera publike. Kjo natyrshëm që do të krijonte një çrregullim në ekonominë e vendit, dhe një Qeveri e tillë vështirë se do të mbijetonte gjatë”, përfundoi Murati.
Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë më 18 janar kishte paralajmëruar se në seancën e 31 janarit do të jetë në rend dite aprovimi i Buxhetit për vitin 2019.
“Me datën 31 do ta kemi një seancë parlamentare e cila do të jetë me disa pika të rendit të ditës shumë të rëndësishme për neve për qytetarët tanë. Është Ligji për buxhetin, statuti i Trepçës, Ligji për paga dhe një mori ligjesh tjera që do t’i aprovojë Kuvendi në shërbim të interesave të qytetarëve”, kishte thënë Veseli.