Moscertifikimi i Srpskas, Haradinaj: Nuk respektuan Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

08:38 | 25 December 2024
moscertifikimi-i-srpskas,-haradinaj:-nuk-respektuan-kushtetuten-dhe-ligjet-e-kosoves

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se arsyeja e moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2024 është mosrespektimi i Kushtetutës dhe ligjit të Kosovës nga ana e kësaj partie.

Haradinaj ka përmendur se Lista Serbe shpesh ka bërë deklarata të dëmshme, si glorifikimi i Putinit dhe qëndrimet kundër Kosovës, duke përmendur gjithashtu edhe përfshirjen e saj në sulme terroriste.

“Lista Serbe realisht nuk ka qenë e kujdesshme me respektuar ligjet e Kosovës, ata kanë bërë shpesh deklarime shumë të këqija, për shembull rrënoftë Serbia, deklarohet në hapje të fushatës. E glorifikojnë Putinin nuk janë distancuar nga këto sulme terroriste ata duhet të bëjnë kujdes se në Kosovë nuk mund të marrin askush me marrë pjesë në proces zgjedhor e me qenë kundër Kosovës e kundër Kushtetutës. Pra janë mirëseardhur në proces zgjedhor por duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai shtoi se këta të fundit duhet të distancohen nga qëndrimet kundër Republikës së Kosovës.

“Ne që kemi votuar në vendimin që edhe ata të marrin pjesë, shqetësimet janë të bazuara në sjelljet e Listës Serbe. Duhet ta kuptojnë që Lista Serbe dhe çdokush se nuk mund të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës duke glorifikuar armiqtë e Kosovës”, ka thënë ai.

“Në një shtet tjetër nuk mundesh të marrin pjesë në zgjedhje duke i lavdëruar armiqtë e atij shteti. Lista Serbe i ka glorifikuar të këqija kundër të Kosovës dhe duhet të vetëdijesohet dhe ta kuptojnë që shteti i Kosovës duhet të respektohet, unë kam shkarkuar ministra dhe zëvendësministra gjatë qeverisjes sime për një fjalë gojë, vetëm që një ministër ka thënë që Reçaku është falsifikim ka shkuar në shtëpi dhe dy zëvendësministra të tjerë kam shkarkuar vetëm për këtë fjalë”, theksoi kreu i AAK-së.

Ai ka theksuar se nëse një subjekt politik do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, duhet të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe duhet distancuar nga qëndrimet që glorifikojnë armiqtë e Kosovës.

“Pra Lista Serbe nuk mundet të thyej Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, nëse janë për pjesëmarrje politike, për të drejtat e qytetarëve ne çdoherë jemi për por nuk mund të mbyllim sytë kur shkelet Kushtetuta dhe thyhen ligjet tona bëhen akte të tilla”, përfundoi ai. /EO/

Komento: