Moscertifikimi i Srpska’s, Kurti: Do të ishte e palogjikshme që Sami Kurteshi e Alban Krasniqi të mbanin qëndrim tjetër prej VV

18:08 | 24 December 2024
moscertifikimi-i-srpska’s,-kurti:-do-te-ishte-e-palogjikshme-qe-sami-kurteshi-e-alban-krasniqi-te-mbanin-qendrim-tjeter-prej-vv

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për media sot është pyetur nga gazetarët për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ai ka thënë se Lista Serbe nuk është shprehje e organizimit politik të serbëve në Kosovë por është diktat i Beogradit mbi serbët e Kosovës.

Kurti shtoi se derisa Radojçiqi të dorëzohet në Kosovë, Srpska do të jetë krahu politik i Milan Radojciqit dhe terrorizmit shtetëror serb.

Sipas tij “ Lista Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbëve në Kosovë”.

“Ju e dini që VV aty ka dy nga 11 anëtarë, ndërkaq për certifikim kanë mjaftuar 8. Askush nuk ka mundur të presë se do të jetë ndryshe qëndrimi i përfaqësuesve të VV’së në KQZ dhe le të mos harrojmë që edhe para sulmit terrorist në Banjskë Lista Serbe ka qenë fort problematike dhe përshkallëzimi i situatës vjen kur ata me urdhër të Beogradit dhanë dorëheqje në veri të Kosovës, në Polici, gjyqësi, komuna atje dhe nga parlamenti i Kosovës më 5 nëntor 2022. E kur kësaj ia shtojmë edhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit i cili është kryer nga nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojciq, që vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë de facto shefi i Listës Serbe sepse eksponentët e Listës Serbe me në krye Zllatan Elek që është kryetar i Listës Serbe, takohen me Radojciqin në Serbi, marrin instruksione apo më saktë urdhra prej tij, është e qartë se qëndrimi ynë si VV që e kemi përfaqësuesit në KQZ, nuk ka mundur të jetë ndryshe dhe ne në të njëjtën kohë kemi alarmuar se cfarë po ndodhë se e kemi policin e vrarë, Afrim Bunjakun, i kemi fëmijët e tij jetimë dhe në anën tjetër e kemi Millan Radojciqin në Serbi, në liri dhe i cili planifikon sulme të reja e disa prej tyre edhe i realizon ndonëse është i pakënaqur me dëmin që e ka shkaktuar sikurse ky më 29 nëntor në kanalin Ibër Lepenc. Andaj qëndrimi negativ, veprimet destruktive dhe sjellja penguese e Listës Serbe ndaj Republikës së Kosovës janë të njohura publikisht për të gjithë. Lista Serbe fatkeqësisht po e përfaqëson shtrirjen e gjerë dhe shkallën e lartë të ndërhyrjes së Serbisë në punët e Kosovës dhe në zgjedhjet tona demokratike. Politikisht Lista Serbe është dega më besnike e partisë në pushtet, partisë shtet, në Serbi, dhe bojkoti i tyre ndaj Kuvendit të Kosovës pat nisur pikërisht me atë urdhrin nga Beogradi më 5 nëntor 2022. Lista Serbe në pikëpamjen time, dhe besoj edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës përfshirë edhe serbët, nuk është shprehje e organizimit politik të serbëve në Kosovë por është diktat i Beogradit mbi serbët e Kosovës duke ia sipërvendosur asaj partie për shef Milan Radojciqin.

Ne e dimë se Lista Serbe asnjëherë nuk është distancuar ndaj sulmit terrorist në Banjskë dhe kjo përkundër faktit Radojciq që e ka pranuar krimin e tij dhe ai ka një aktakuzë nga Prokuroria Speciale bashkë me 44 paramilitarët tjerë me të cilët vepruan më 24 shtator të vitit të kaluar. Për aq kohë sa Milan Radojciq nuk dorëzohet te autoritetet e Kosovës, Lista Serbe do të jetë krahu politik i Milan Radojciqit dhe terrorizmit shtetëror serb. Unë besoj që Lisya Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbëve në Kosovë. Prej djegies së veturave e pronave te rrahja brutale e serbëve që integrohen në Kosovë e deri te ngacmimet, kërcënimet, shantazhet që u bëhen serbëve në Kosovë, të gjitha këto e mbajnë nënshkrimin dhe vulën e Listës Serbe. Tash ky është qëndrimi i VV’së ku unë jam kryetar dhe kemi dy përfaqësues, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi. Do të ishte e palogjikshme që ata të prezantonin ndonjë qëndrim tjetërfare prej asaj të VV’së”, tha Kurti.

Kurti tha se është “çuditur” në vitin 2021 që morën 2 nga 11 anëtarë në KQZ ndonëse kishin marrë 50 për qind të votave.

Ai shtoi se u problematizua “qëndrimi i VV’së që dihej botërisht”.

“Ndonëse për certifikimin e Listës Serbe nuk kanë nevojë për dy të VV’së se ata që e kanë krijuar Listën Serbe dhe e kanë përkëdhelur në pushtet për shumë vite ata tash nuk e mbështetën Listën Serbe. Prej VV’së askush nuk ka pasur pritje të tilla, ne jemi adresa e gabuar për këso lloj diskutimesh që po bëhen”, tha ai në fund.

Komento: