Lista Serbe dje nuk u certifikua nga KQZ për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, pavarësisht rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimit të Subjekteve Politike. Lista Serbe, njësoj si subjektet tjera politike që u certifikuan, kaloi procesin e verifikimit që u bë nga KGJK, MPB, MPJD e PZAP’së, mirëpo anëtarët e KQZ’së nga VV vendosën që këtë proces ta shfrytëzojnë për fushatë. Kjo lëvizje e VV’së para zgjedhjeve nxiti reagim të ndërkombëtarëve, ndërsa njohësit e zhvillimeve politike theksuan që në bazë të precedentëve të mëparshëm Lista Srpska do arrijë të certifikohet. Sipas Albert Krasniqit nga Demokracia+ moscertifikimi i këtij subjekti politik i bën dëm imazhit të Kosovës sidomos në raport me atë se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë. Ai tregon se cilat janë procedurat pas vendimit të KQZ’së për moscertifikim të Listës Srpska.
Dje Komisoni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt. Përfaqësuesit e VV’së gjatë mbledhjes së djeshme e kundërshtuan rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Subjekteve Politike për t’i dhënë dritën e gjelbër Srpskas që të garojë në zgjedhje.
Një vendim i tillë është kritikuar nga njohësit e zhvillimeve politike. Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci+ në një bisedë me Gazetën Express ka bërë të ditur se Lista Serbe ka kohë 48 orë që të ankohet në PZAP për këtë vendim e më pas PZAP ka kohë 48 orë që të marrë një vendim për ankesën e këtij subjekti politik.
“Pas vendimit të KQZ’së për moscertifikimin e Listës Serbe për të garuar në zgjedhje e 9 shkurtit ka afat prej 48 orëve që Lista Serbe të dorëzojë ankesë në PZAP dhe pastaj 48 orë të tjera i ka PZAP që të marrë vendim lidhur me ankesën. Unë besoj që nëse një ankesë e tillë dorëzohet në PZAP ky institucion në bazë të precedentëve të mëhershëm do të marrë vendim që ta certifikojë dhe kështu ta vendosë KQZ’në para aktit të kryer dhe Lista Serbe të lejohet të garojë në zgjedhje. Do të thotë procedurat janë të qarta dhe në bazë të rekomandimit që Zyra për Regjistrimin dhe Certifikimit të Subjekteve Politike ka dhënë që të certifikohet Lista Serbe nuk ka pasur asnjë arsye që të refuzohet”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se jo anëtarët e VV’së por institucionet e sigurisë dhe drejtësisë e kanë të drejtën të vendosin nëse një subjekt politik s’mund të garojë në zgjedhje.
Sipas tij kundërshtimi i Sami Kurteshit dhe Alban Krasniqit për ta certifikuar Listën Serbe është “mënyrë e ulët e të bërit fushatë” dhe se kjo i bën dëm Kosovës në raport me atë se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë.
“Pretendimet që janë dhënë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ janë të paqena sepse ata nuk janë autoritet që të bëjnë përcaktime të tilla dhe e vetmja gjë që ata është dashur ta bëjnë është të shikojnë nëse ky subjekt politik i ka plotësuar kriteret ligjore dhe asgjë më shumë, janë instancat tjera të sigurisë dhe gjykatat që vendosin se cili subjekt politik të mos mund të garojë në zgjedhje dhe nuk iu takon anëtarëve të KQZ’së që disa videoincizime që i kanë marrë ta gjyqësinë ndaj një subjekti politik. Kjo ka qenë vetëm një mënyrë e ulët e të bërit fushatë për qëllime populiste për të nxitur sentimentin nacionalist në Kosovë që i bën shumë dëm Kosovës dhe imazhit të saj sidomos në raport me atë se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë”, tha ai.
Nëse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa e refuzon ankesën e Listës Serbe, Krasniqi thotë se rasti shkon në Gjykatë Supreme.
“Në rast se PZAP i jep të drejtë KQZ’së shkohet pastaj në Gjykatë Supreme, mandej Supremja e trajton rastin dhe merr një vendim. Kjo mund të shkojë deri në Gjykatë Kushtetuese pasi kjo është një e drejtë kushtetuese”, tha ai.
Lista Serbe do të ankohet në PZAP
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka bërë të ditur se do të ankohen në PZAP. Ai shtoi se vendimi i KQZ-së është jodemokratik dhe kundër serbëve.
“Gjatë ditës do të paraqesim ankesë në PZAP dhe pres nga një vendim të qartë që do të hedhë poshtë këtë vendim absurd, antiserb dhe jodemokratik të [Albin] Kurtit”, tha Ellek në një konferencë për media.
Ellek tha se vendimi i KQZ-së, është urdhëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin tha se “dëshiron t’i eliminojë serbët nga këto troje”.
“Kjo është dhunë institucionale dhe ligjore ndaj popullit serb dhe ndaj Listës Serbe, sepse Kurti nuk dëshiron të shohë deputetët e Listës Serbe në Parlamentin e Kosovës, por dëshiron të ketë serbë të bindur si i ashtuquajturi ministër, z. [Nenad] Rashiq”, tha ai.
Çka u tha në mbledhjen e KQZ’së?
Sami Kurteshi, anëtari KQZ’së nga Vetëvendosje, gjatë mbledhjes së djeshme, ka thënë se Lista Srpska është “strofull i njerëzve që kanë bërë e bëjnë vepra terroriste”.
“Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës serbe. Pra asnjëherë nuk e përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova” por “rrnoftë Serbia’ sikur me i mbajt zgjedhjet në Serbi. Tash është një çështje tjetër, përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte të vazhdueshme me pushtetin e Vuçiqit po ku është edhe Radojiçiqi, personi që ka qenë nënkryetar, ka organizuar dhe udhëhequr sulmin në Banjskë ku është vrarë një polic, ky subjekt politik nuk është deklaru kurrë publikisht për me e dënu këtë sulm. Kemi lidhjen tjetër të sulmit në kanalin e Ibër- Lepencit”, ka thënë Kurteshi.
Ai shtoi se nuk mund ta certifikojë një subjekt “që hapur nuk e pranon shtetin, s’e përmend emrin zyrtar dhe në fund thotë rroftë Serbia”.
Kundër certifikimit të Listës Serbe u deklarua edhe anëtari tjetër i KQZ’së nga VV, Alban Krasniqi.
Ndërsa Arianit Elshani nga PDK tha se ka një “shqetësim” për rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e partive politike që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garën e 9 shkurtit.
“Ky rekomandim është i bazuar në disa institucione, është i bazuar në MPB, MPJD dhe në PZAP dhe KGJK. Pra të gjitha këto institucione kanë thënë që kjo listë e kandidatëve dhe ky subjekt politik nuk ka elemente të ndonjë shkelje ligjore të Ligjit për zgjedhjet. Unë këtë rast dua të shpreh që abstenoj nga votimi për certifikimin e këtij subjekti politik. Nuk do të marrë pjesë në votim përderisa kemi shqetësime të njëjta si anëtarë dhe konsideroj që certifikimi i secilit subjekt që bëhet në KQZ duhet të bëhet me konsensus siç ka ndodhur gjithmonë”, tha Elshani.
Anëtari tjetër i PDK’së në KQZ, Ilir Gashi tha se asnjë nga institucionet nuk ka marrë hapa të nevojshëm për ta provuar ligjërisht si e tillë ka kryer veprime kriminale apo terroriste.
“Askush nuk e ka marrë një hap të tillë, as nga institucionet e Kuvendit as Qeveria, as drejtësia”, tha ai.
“Kjo përpjekje me lëshu një patate të nxehtë në dorë, nukë është mirë. Nu është mirë që me këtë diskutim me cu me rënie të lirë vota një subjekti politik në komunitetin e vet. Se ne e rrisim në kuptimin politik nëse vazhdojmë me bë luftë të tillë brenda këtij institucioni”, tha ai.
Si reaguan ndërkombëtarët?
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë në një përgjigje për Express ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe është vendim i motivuar politikisht, dhe ka kërkuar nga palët që kanë problem që t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA’së.
Ambasada ka thënë se të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje, duke shtuar se votuesit vendosin kush i përfaqëson ata e jo organet politike.
Ndërsa ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka kërkuar nga KQZ-ja të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore, e jo të interesave politike
“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike”, ka shkruar ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndan shqetësimin e shprehur nga SHBA dhe BE lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.
Ai tha se procesi i certifikimit nuk duhet të politizohet.
“Unë ndaj shqetësimet e BE-së dhe SHBA-së në lidhje me moscertifikimin e Listës Srpska. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është thelbësor. Procesi i certifikimit është një procedurë rreptësisht formale që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në “X”.
Misioni i OSBE’së ka thënë se procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet në reagim.