
Këshilli Prokurorial i Kosovës është mbledhur sot pasi Presidentja Vjosa Osmani njoftoi sot vendimin e saj për mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror të Shtetit,
Nga KPK kanë shprehur mospajtim të thellë me deklaratat e Presidentes, duke thene se jane “të ndërtuara mbi një rrafsh më tepër politik sesa kushtetues dhe ligjor”, derisa arsyetimet e saj për mosdekretimin e Isufajt, i kanë cilësuar “tejet të pabazuara dhe jashtëzakonisht tendencioze”.
KPK thotë se deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e sistemit prokurorial, përkatësisht në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Për deklaratat e Presidentes se ka pasur presione dhe kërcënime, Këshilli Prokurorial e ka ftuar Presidenten “që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht”.
“Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale.
Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Osmani njoftoi sot se ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokur të vendit.
“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.
Ajo tregoi se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.
Vlerësimi i saj, Osmani tha se është “brenda mandatit kushtetues” të saj si presidente, dhe se në të janë “evidentuar të gjitha shkeljet”, duke i përmendur disa prej tyre.
Reagimi i plotë: