Mosdekretimi i Isufajt si Kryeprokuror, cilat janë procedurat zgjedhjes së emrit të ri?

19:28 | 17 Tetor 2023
mosdekretimi-i-isufajt-si-kryeprokuror,-cilat-jane-procedurat-zgjedhjes-se-emrit-te-ri?

Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit do të vazhojë të mbetet me ushtrues detyre.

Kjo për shkak që Presidentja e Kosovës nuk e dekretoi emrin që u përzgjodh nga Këshilli Prokurorial.

Vendimi i saj erdhi pas disa shkeljeve që i kanë gjetur lidhur me kryeprokurorin Blerim Isufaj.

Kjo edhe mund të kundërshtohet duke e dërguar vendimin në Gjykatën Kushtetuese, thotë Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi,

“Mund të ketë një procedurë në Gjykatën Kushtetuese nëse iniciohen nga 30 e më shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërkohë, Shala thotë që duhet të shpallet konkursi i ri me procedura transparente për përzgjedhjen e emrit të ri.

“Në anën tjetër Këshilli Prokurorial i Kosovës pas këtij vendimi duhet që të shpall përsëri konkursin, të zhvillojë një procedurë meritokratike, dhe transparente për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Në asnjë rrethanë nuk duhet t’i injoroj gjetjet e shoqërisë civile, rekomandimet e shoqërisë civile”, deklaroi ai.

Kjo mund edhe zgjasë, pasi që procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit, tanimë është kthyer në pikën zero.

Shala nga IKD thotë që në procesin e ri mund të kandidojnë edhe ata që kanë qenë në garën e parë.

“Për shkak të shkeljeve në proces, Presidentja e ka kthyer në pikën zero, prapë se prapë ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe me qëllim të rritjes së meritokracisë të këtij procesi, definitivisht duhet të ketë një konkurs të ri dhe të gjithë kandidatët që kanë interesim duke përfshirë edhe kandidatët që kanë qenë në garën e parë, të kandidojnë për këtë proces dhe në bazë të një procesi transparent dhe meritor, të përzgjedhet edhe emri që do të rekomandohet për Kryeprokuror të Shtetit në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të premten e kaluar ka marrë vendim që t’i drejtohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me një letër urgjente për dekretimin e Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Komento: