Mosekzekutimi i pagave për grevistët, Tahiri: Absurde dhe hakmarrje politike

12:52 | 03 October 2022

Mosekzekutimi i pagave për grevistët është absurd dhe në esencë hakmarrje politike, vlerësoi Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Në lidhje me këtë, Tahiri lajmëroi se kanë thirrur interpelancë me ministrin e financave, Hekuran Murati.

Shqetësuese, sipas deputetit të AAK-së, është situata e cila është krijuar.

“Ky veprim i Qeverisë është absurd! Presioni politik ka vazhduar që nga dita e parë e po vazhdon edhe me ndalimin e pagave. Kjo në esencë është hakmarrje politike ndaj një kërkese që buron nga një organizim sindikal. Për këtë arsye kemi vendosur që thërrasim në interpelancë në seancën e së premtes ministrin, Hekuran Murati”, u shpreh Besnik Tahiri.

“Gjithashtu, sa i përket Ligjit të miratuar në Qeveri për Zyrtarët Publikë, është shqetësuese ndërhyrja flagrante e Qeverisë në cenimin e kontratave të punës së shërbyesve civilë”.

“Gjithashtu, para gazetarëve theksova se integrimi evropian duhet të jetë top prioritet i Qeverisë. Qeveria duhet ta intensifikojë lobimin fillimisht për liberalizim të vizave e pastaj të punohet në sigurimin e njohjes nga pesë vendet e BE-së sepse mosnjohja nga ana e tyre po e pengon Kosovën në proceset integruese”, përfundoi ai.

Komento: