Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit përplas partnerët e koalicionit qeverisës

08:56 | 04 October 2022

Mosekzekutimi i pagave për muajin shtator për mësimdhënësit që ishin në grevë ka përplasur deputetët e koalicionit qeverisës.

Ka qenë fillimisht deputetja e “GUXO”, Jeta Statovci, e cila doli hapur kundër këtij vendimi të Qeverisë duke thënë se nuk mund të pajtohet me diçka të tillë.

“Si partnerë në qeverisje me VV-në na bashkon vizioni i njëjtë që kemi, që shtetit tonë ti japim të mbarën dhe shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë. Sigurisht se deri më tani bashkërisht kemi arritur shumë suksese me të cilat pajtohet lehtësisht cilido individ e madje edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e shumë punë na presin së bashku deri në realizimin e plotë të synimeve tona.

Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i jane kthyer bankave shkollore. Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator, shkruan Reporteri .net.

Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, përmes formes së përcaktuar, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër2, ka shkruar Statovci mbrëmë.

Kundër vendimit të Qeverisë “guxoi” të dalë edhe deputeti tjetër i “Guxo”, Haxhi Avdyli.

Avdyli tha se greva ka pasur prapavijë politike, ku udhëheqësit të SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. “Por përkundër kësaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen”, thotë Avdyli.

“Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo , pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevist. Greva shihet që ka pasur prapavijë politike, ku udheheqësit të SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por përkundër kesaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen. Për hirë të arsimit,nxënësëve arsimtarëve të ndershëm, familjeve të tyre por edhe qytetarëve që duan qetësi në institucione e cilësi në arsim, sot i bashkohem thirrjes për leshimin e pagave për mësimdhenësit grevistë.Le të mbetet mësim i mirë, për të gjithë ata që deshën të manipulojnë arsimtarët e nxënësit për agjenda politike që ti mbajnë duartë larg nga shkollat.Por sot duhet të jemi me mirëqenjen e arsimtarëve e ndershëm. E që të tillë janë shumica absolute”, shkruan ai.

Pas këtyre reagimeve nga “Guxo”, ka qenë deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ai i cili ka reaguar duke akuzuar SBASHK-un se i ka refuzuar 6 oferta e ndërmjetësime për ndërprerjen e grevës.

Ai thotë se SBASHK-u duhet t’ua kompensojë fëmijëve orët e humbura dhe mësimdhënësve pagat e humbura.

“Kryesia e SBAShK-ut i ka refuzuar 6 oferta e ndërmjetësime për ndërprerjen e grevës pa ja marrë mendimin e anëtarësisë. E kur u pyet anëtarësia, shumica votuan kundër grevës. Kjo po i bie që kryesia e SBAShK-ut pa ndonjë plan të qartë dhe pa mbështetjen e mësimdhënësve, i ka mbajtur fëmijët jashtë shkollave për një muaj dhe arsimtarët pa punë për një muaj. Fëmijëve duhet t’ua kompensojë orët e humbura. Mësimdhënësve t’ua kompensojë pagat e humbura”, shkroi ai.

Mosekzekutimin e pagave vetëm për mësimdhënësit grevistë, e në anën tjetër procedimi i tyre për shërbyesit e tjerë civilë që ishin në grevë, kreu i SBASHK, Rrahman Jasharaj, po e sheh si tentativë të kryeministrit Kurti për ta rrënuar sindikatën e arsimit, të cilën ai thotë se nuk kanë mundur ta rrënojnë as në vitet e 90ta.

Ai paralajmëroi veprime në rast të mosekzekutimit të pagave, por duke mos specifikuar se çfarë veprime do të ndërmarrin konkretisht.

Vendimin e Qeverisë për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë, e kanë kritikuar ashpër edhe partitë opozitare. Nga opozita këtë vendim e kanë quajtur skandaloz dhe që shkel ligjet e vendit.

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, është zotuar sot se pagat e muajit shtator për mësimdhënësit, herët a vonë do t’i marrin.

“Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së. Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ndërkaq, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se kryeministri Albin Kurti, me nxitjen e urrejtjes dhe ndasisë, po dëshmon se kurrë nuk do të bëhet lider, por do të mbetet vetëm një përçarës kronik.

Lideri i opozitës ka shkruar në faqen e tij në Facebook se kryeministri është kryemashtruesi i Kosovës dhe shumë shpejt i doli boja.

“Prej ndëshkimit diskriminues për të gjithë mësimdhënësit, përmes ndalesës joligjore të pagave, e deri te videoja propaganduese për të nxitë edhe më shumë urrejtje e ndasi, Albin Kurti edhe sot tregoi që kurrë nuk do të bëhet lider, por do të mbetet vetëm një përçarës kronik”, tha Krasniqi.

Edhe AAK është zotuar që nuk do ndalen së kundërshtuari këtë vendim, që prek drejtpërsëdrejti mësimdhënësit grevistë.

Komento: