Mosmarrëveshjet për çarmatosjen e Hamasit e frenojnë progresin për planin e paqes në Gaza

18:50 | 25 Shkurt 2026
mosmarreveshjet-per-carmatosjen-e-hamasit-e-frenojne-progresin-per-planin-e-paqes-ne-gaza

Progresi në planin për paqe në Gaza ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth asaj se si duhet të çarmatoset Hamasi. Izraeli ka kërcënuar se do t’i kthehet luftës së plotë, nëse ky kusht nuk përmbushet së shpejti.

Synimi i fazës së dytë të armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja, të cilën Uashingtoni e shpalli të nisur në janar, është që t’i përfshijë çarmatosjen e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe një administratë të përkohshme palestineze në Gaza, e cila do të mbështetej nga një forcë policore palestineze dhe nga Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit (ISF), raporton gazeta “The Guardian”.

“Vlerësohet se, ditëve në vijim, Hamasit do t’i jepet një ultimatum për çarmatosje dhe për ta demilitarizuar tërësisht Gazën” – tha të hënën ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, duke shtuar se ky ultimatum do të vinte nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, nëse Hamasi nuk e përmbush këtë kërkesë, ushtria izraelite do të “merrte legjitimitet ndërkombëtar dhe mbështetje amerikane për ta bërë këtë vetë”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar, thuhet se i tha kabinetit izraelit të sigurisë të dielën se Trumpi do t’ia japë ultimatumin Hamasit brenda disa ditëve.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk e adresoi këtë çështje në fjalimin e tij të gjatë të martën në mbrëmje. Ai mori merita për kthimin e trupave të pengjeve izraelite, por as nuk e përmendi Bordin e Paqes, të cilin para katër ditëve e kishte vlerësuar si pikë kthese historike.

Edhe nëse njoftohet fillimi i një fushate të çarmatosjes, është e paqartë se cila palë do të ishte në pozitën për t’i pranuar armët e Hamasit brenda një periudhe 60-ditore. Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, grup prej 15 teknokratësh palestinezë, është mbledhur në Kajro, në përgatitje për ta menaxhuar enklavën e shkatërruar, por ende është një rrugë e gjatë derisa ky organ të hyjë në Gaza.

Komento: