Mosnjohja e Kosovës nga Vatikani- Don Lush Gjergji fajëson Pacollin

09:54 | 26 Dhjetor 2018

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është fajësuar nga Don Lush Gjergji për mosnjohjen e Kosovës nga Vatikani.

Monsinjor Dr. Lush Gjergji tha se Vatikani ka bërë një hap të madh drejt njohjes dhe para 4 viteve ka emëruar Nuncin Apostolik i cili mbulon Kosovën, apo ambasadorin për Kosovë, i cili nga Sllovenia do të mbulojë edhe Kosovën si Ambasador i Vatikanit për Kosovë.

Ndërsa thotë se Kosova, edhe pas kaq viteve, ende nuk ka bërë një lëvizje të tillë, apo emërimin e një diplomati i cili do ta mbulonte Vatikanin.

“Kjo mund të jetë një gabim i madh, apo mungesa e përvojave diplomatike, në diplomaci nuk ka fjalë të mira, ka plane dhe veprime të matura dhe strategjike”, ka thënë Monsinjor Gjergji në RTK.

Gjergji ka folur edhe rreth pritjeve që ju ka bërë Papa gjithë presidentëve të Kosovës, duke filluar nga Ibrahim Rugova e me radhë.

“Ata janë pritur si gjithë presidentët e vendeve tjera, ku edhe kjo do të thotë shumë për Kosovën”, ka thënë Gjergji.

Ai ka thënë se diplomacia kosovare nuk i ka njerëzit e duhur në vendin e duhur dhe ka njerëz jo adekuatë dhe të papërvojë për të udhëhequr me diplomacinë.

Monsinjor Lush Gjergji ka folur edhe për rëndësinë dhe mesazhin e festës së Krishtlindjes dhe traditave shqiptare me rastin e krishtlindjes.

Gjergji ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Komento: