Moszbatimi i i taksës prej 100%, ja ҫfarë ndodhi me mallrat e bllokuara serbe

19:54 | 16 Janar 2019

Pritet që të dalin në tregun vendor, mallrat me vlerë prej 2 milionë eurosh nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo do të ndodhë pasi që Qeveria e Kosovës, gjatë së martës, mori vendim për moszbatimin e masës 100 përqind për produktet që kanë hyrë në vend para datës 21 nëntor, kur edhe është vendosur masa e parë.

Por që të njëjtat nuk kishin kryer procedurat doganore.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka treguar se malli do t’i nënshtrohet vetëm tatimit mbi vlerën e shtuar.

Vendimin e kanë mirëpritur përfaqësuesit e bizneseve në vend.

Kryetari i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka treguar se mallrat e bizneseve kishin mbetur të bllokuara, pasi qeveria nuk kishte dhënë afat për doganim dhe tërheqjen e tyre nga depot.

Zeka ka kërkuar që bizneset që kanë paguar masën gjatë kësaj periudhe dhe kanë nxjerrë produktet nga depot, t’u kompensohen paratë.

Mirëpo, në doganë kanë treguar se asnjë biznes nuk e kishte tërhequr mallin nga stoqet.

80 përqind e stoqeve janë me mallra ushqimore.

Derisa, që nga vendosja e masës së parë, dogana kishte pezulluar pranimin e mallrave në depo nga këto dy vende, në përjashtim të brendeve ndërkombëtare.

Ky vendim kishte nxitur debat në mbledhjen e javës së kaluar të qeverisë, me disa ministra që kishin kërkuar që të ketë një raport të detajuar nga Ministria e Financave.

Komento: