Moszbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, reagon BE-ja

18:49 | 20 Maj 2019

Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nuk po zbatohet, ndaj Apostolova ka kërkuar zbatimin e ligjit.

Nataliya Apostolova, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se vendimet e kushtetueses janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen.

Përmes një njoftimi Apostolova ka kërkuar nga institucionet e të gjitha niveleve që të zbatojnë vendimin e Kushtetueses dhe të mbështesin sundimin e ligjit.

“BE shpreh shqetësim të thellë për mungesën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 19 majit 2016 mbi çështjen e mosmarrëveshjes së tokës në Deçan dhe të tjerave që ndikojnë në pronat e anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë. Vendimet nga autoriteti më i lartë ligjor i Kosovës janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme. BE u bën thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të mbështesin fuqishëm sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar Apostolova.

Vite më parë, kryemurgu i Manastirit të Deçanit, Dragutin (Sava) Janjiq, kishte dërguar në kushtetuese dy vendime.

Sipas tyre, pronat prej 24 hektarë tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Decanit, duke shtuar se të dy vendimet e kontestuara nga ky manastir janë të pavlefshme.

Komento: