Motra e qiradhënësit të Albin Kurtit ishte favorite për Kryeshefe të KPM-së, dështon në test me shkrim

15:29 | 05 Korrik 2024
motra-e-qiradhenesit-te-albin-kurtit-ishte-favorite-per-kryeshefe-te-kpm-se,-deshton-ne-test-me-shkrim

Ndonëse u raportua se motra e qiradhënësit të Albin Kurtit është duke u favorizuar nga Qeveria për kryeshefe të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), në rezultatet e publikuara del se ajo nuk arriti të kaloj as testin me shkrim.

Bëhet fjale për Herolinda Zagragja Goçi, e cila është motra e pronarit të shtëpisë në të cilën Kurti tash e sa vite është qiraxhi i tyre. Ajo ishte në krye të listës së të përzgjedhurve në konkurs.

Në vendimin e siguruar nga FrontOnline, shihet se ajo nuk është në listë fare, të kandidatëve që kanë kaluar me sukses testin me shkrim.

Momentalisht, ajo është udhëheqëse e Divizionit për Ankesa dhe Përfaqësim në Komisionin e Pavarur për Media.

Ndryshe, pak para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti ndërroi vendbanimin. Ai u zhvendos në Taslixhe, një lagje periferike e Prishtinës. Kurti ka deklaruar se paguan 250 euro qira për një shtëpi mjaft të madhe, dy katesh. Pronarë të shtëpisë ku aktualisht banon kryeministri Kurti janë familja Zagragja.

Sipas rezultateve të testit me shkrim, i pari në listë ka dalë Niman Racaj, pas tij kandidati tjetër i cili kaloi testin është Nuredin Islami./Front Online/

Komento: