Nisin bisedimet, Mourinho mund të emërohet përzgjedhës te Portugalia.
Ka raporte në rritje për emërimin e Jose Mourinhos në pozitën e përzgjedhësit të Kombëtares së Portugalisë.
Nga kjo pozitë u shkarkua dje Fernando Santos, i cili arriti deri në çerekfinale të Kupës së Botës “Katar 2022”, transmeton Gazeta Express.
Dhe, sipas raportimeve, Mourinho është kandidati kryesor për zëvendësimin e tij.
Sipas “Il Corriere Dello Sport”, agjenti i trajnerit, Jorge Mendes, zhvilloi një takim me Presidentin e Federatës së Portugalisë, Fernando Gomes, të enjten, duke diskutuar për pagën e mundshme të klientit të tij.
Megjithatë, thuhet se qëndrimi te Roma mbetet prioriteti i Mourinhos.
59-vjeçari ka kontratë të vlefshme me klubin italian deri në verën e vitit 2024.
Ndërkohë, trajneri portugez ka mbërritur dje në Portugali së bashku me skuadrën e tij.
Roma do të përgatitet për pjesën e dytë të sezonit në vendlindjen e Mourinhos dhe sot do të përballet me Cadizin në një ndeshje miqësore.