Jose Mourinho mund ta bëjë një rikthim shokues në Real Madrid pasi gjiganti spanjoll po e konsideron opsionin që t’ia besojë atij postin që do ta lë Carlo Ancelotti gjatë verës së ardhshme.
Trajneri italian nga viti 2024 do ta udhëheqë Kombëtaren e Brazilit, prandaj klubi nga “Santiago Bernabeu” është në kërkim të pasuesit të tij.
Mediumi spanjoll “Mundo Deportivo” raporton se emri i Mourinhos ka nisur të sillet përreth klubit mbretëror spanjoll si kandidati i preferuar për t’u ulur në bankinën e ekipit.
Trajneri portugez aktualisht është duke punuar në Rom, por ai mund të largohet nga kryeqyteti italian verën e ardhshme kur edhe do t’i skadojë kontrata.
“Special One” i kishte kaluar tre sezone në Madrid pasi i ishte bashkuar këtij klubi nga Interi, ku e kishte fituar “Tripleten”.
Eksperienca e tij ishte përshkuar me rivalitetin e jashtëzaonshëm me Barcelonën dhe me Pep Guardiolën.
Ish-trajneri i Portos, Chelseat, Manchester Unitedit dhe Tottenhamit, e kishte fituar titullin e La Ligas në vitin 2012, ndërsa ishte larguar një vit më vonë pasi e kishte kaluar sezonin më të dobët të karrierës së tij, për t’u zëvendësuar nga Carlo Ancelotti.
Krahas Realit, Mourinhon e do edhe klubi nga Arabia Saudite, Al Hilal.