
Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar publikisht duke sqaruar rregullat ligjore që lidhen me përdorimin e xhamave të errët në automjete.
Sipas njoftimit, kjo çështje është e rregulluar qartë me Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe me Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, konkretisht në nenin 7. Në përputhje me këto dispozita, lejohen vetëm xhamat e errët që janë të tillë nga prodhuesi i automjetit.
MPB thekson se vendosja e folieve ngjitëse për errësimin e xhamave është e ndaluar, përveç rasteve të veçanta që mund të lejohen vetëm me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, pas një kërkese të arsyetuar dhe dokumentacionit përkatës.
Për të shmangur paqartësitë, Departamenti Ligjor i MPB-së më 24 shkurt 2026 ka nxjerrë edhe një opinion ligjor, ku konfirmohet se kjo fushë rregullohet ekskluzivisht nga Udhëzimi Administrativ Nr. 12/2024 dhe se dispozitat e tij janë detyruese për zbatim.
Ministria paralajmëron se çdo interpretim ndryshe nga ai zyrtar nuk ka bazë ligjore dhe dëmton zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit.
Sipas MPB-së, këto rregulla synojnë rritjen e sigurisë në trafik, lehtësimin e kontrolleve nga organet e rendit dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme.
Në fund, MPB u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë legjislacionin në fuqi, duke theksuar se shkeljet do të trajtohen sipas ligjit.