MPB nuk ndërmerr asgjë, gazetari pro-rus po rikthehet në Kosovë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

MPB nuk ndërmerr asgjë, gazetari pro-rus po rikthehet në Kosovë

19:29 | 19 Mars 2019

Ai bëri bujë të madhe me videot e tij.

Graham Phillps, gazetari pro-rus nga Britania po paralajmëron rikthimin e tij në Kosovë.

I njëjti, me anë të disa video materialeve kishte bërë propagandë kundër shtetit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Duke e quajtur UÇK-në terroriste e liderët shtetëror kriminelë, Phillips në videot e tij pretendonte se po e thoshte të vërtetën për aktualitetin në Kosovë.

Për videot e propagandën e tij kishin reaguar edhe institucionet e Kosovës.

Madje, ministri i Brendshëm, Ekrem Mustafa për lajmi.net kishte thënë se janë në konsultim me ambasadën e Britanisë dhe ministrinë e Jashtme për veprimet e radhës, e që siç ishte raportuar më herët, britaniku do të shpallej person “non-grata”.

Por MPB e organet tjera nuk ndërmorën asgjë.

Phillips madje me anë të një postimi në Facebook, ka paralajmëruar se do të kthehet në Kosovë.

Këtu, ai po planifikon të realizojë reportazhe të reja.

“Aktualisht kam planifikuar të shkojë në Kosovë e Metohi dhe ta realizoj një projekt me 20 reportazhe. Por, reagimet kanë qenë të shumta, e unë po ashtu kam shumë material. Unë do të rikthehem në aty kur ka ndonjë çështje me rëndësi për t’u mbuluar objektivisht”, ka thënë ai.

Ironikisht, Phillips postimit i ka vendosur edhe një fotografi të aktorit të filmave aksion, Arnold Schwarzeneger, me mbishkrimin “I’ll be back”, e që në shqip do të thotë “Do të rikthehem”.

Lajmi.net ka tentuar të marrë sot një përgjigje nga zyrtarët e ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe nga vetë ministri Mustafa, se pse kjo ministri nuk ka ndërmarrë asgjë deri më tani, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjes, Mustafa ka thënë se gjatë tërë ditës do të jetë në një mbledhje dhe është i zënë.

Për këtë lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek zyra për informim në MPB, mirëpo deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka arritur asnjë përgjigje.

Ndryshe, gazetari Graham Phillips konsiderohet se kishte filmuar me dron pozicionet e forcave ukrainase, të cilat filmime më vonë ua kishte dërguar ushtarëve pro-rus.

Phillips, përveç me rusët konsiderohet se është shumë i afërt edhe me serbët, teksa këta të fundit i konsideron edhe ‘viktima’ të luftës së fundit në Kosovë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!