Marko Gjuriq nuk do të lejohet ta vizitoj nesër Kosovën.
Udhëheqësit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, i është refuzuar kërkesa për të vizituar Kosovën, më saktësisht komunat veriore të cilat nesër i mbajnë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Lajmin e ka konfirmuar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
“Nuk aprovohet kërkesa e tij për vizitë pasi nuk është në përputhje me kriteret e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Zyberaj për Kohën.
Sipas marrëveshjes së Brukselit, tha Zyberaj, për aranzhim të vizitave zyrtare kërkesat duhet të dërgohen gjatë ditëve të javës e Hënë – Premte në orar të punës deri në orën 17:00.
Gjuriqi, sot në televizionin publik serb (rts) është ankuar se gjatë vitit të kaluar është përpjekur 18 herë të hyjë në Kosovë, por nuk ia ka dalë.
“Organet e Prishtinës nuk më kanë lënë. Do të provoj përsëri të hyjë në Kosovë”, ishte shprehur ai.