Pas reagimeve të shumta, Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë sqarimet e saja lidhur me emërimin e ambasadorëve të karrierës.
Sipas MPJ-së, propozimi për ambasadorët është bërë para dorëheqjes së Haradinajt, shkruan lajmi.
“Sipas legjislacionit në fuqi, Ministri i Punëve të Jashtme propozon emërimin e Ambasadorëve. Propozimi i Ambasadorëve në këtë rast është bërë para dorëheqjes së Kryeministrit, kurse emërimi i tyre nga Presidenti po ashtu është bërë në përputhje me Kushtetutën, Ligjin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ligjin e Shërbimit të Jashtëm të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Emërimi i Ambasadorëve sipas MPJ-së është një proces, jo një akt i vetëm.
Presidenti, mandati i të cilit nuk lidhet me dorëheqjën e Kryeministrit apo qeverisë, e ka bërë emërimin bazuar në propozimet e ligjshme të bëra nga Ministri i Punëve të Jashtme.
Duhet theksuar se të gjithë Ambasadorët e propozuar dhe të emëruar kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në ligj dhe janë anëtarë të shërbimit të jashtëm, që kanë kontribuar në Ministri për vite.
“Ministria tanimë ka zbatuar me sukses kërkesën e ligjit për të pasur më shumë se 50% Ambasadorë të karrierës, si dhe ka krijuar një gjeneratë të re të Ambasadorëve profesionistë që kanë përvojë dhe arsimim për të përfaqësuar interesat e Kosovës jashtë vendit. Me emërimin e Ambasadorëve nga radhët e karrierës, ashtu siç është bërë propozimi nga Ministria e Punëve të Jashtme, numri i anëtarëve të shërbimit të jashtëm të emëruar Ambasador nga radhët e karrierës diplomatike do të jetë 60% më çka është de-politizuar shërbimi i jashtem”, thuhet në njoftim.
“Edhe njëherë, Ministria e Punëve të Jashtme dëshiron të sqarojë se emërimi i Ambasadorëve është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës. Çdo spekulim tjetër për këtë proces dëmton vetëm interesat e Kosovës jashtë vendit dhe punën e këtyre Ambasadorëve në misionet ku janë emëruar. Emërimi i Ambasadorëve respektiv është në respekt të plotë të meritokracisë, brenda shërbimit të jashtëm të Kosovës. Tani Ministria ka filluar procesin e akreditimit të këtyre Ambasadorëve në vendet përkatëse pritëse”.
“Për më tepër Ministria dëshiron të shprehë gatishmërinë, në frymën e transparencës dhe sqarimit të spekulimeve të bëra deri më tani për të treguar të gjithë të interesuarve dokumentacionin se propozimi i Ambasadorëve është bërë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, para dorëheqjes së Kryeministrit dhe gjendjes së krijuar në qeveri”, përfundohet në komunikatë.