MPJD: Jakupin e angazhuam sepse është artist i njohur në Evropë e në shtete të Amerikës Latine

11:27 | 24 Nëntor 2023
mpjd:-jakupin-e-angazhuam-sepse-eshte-artist-i-njohur-ne-evrope-e-ne-shtete-te-amerikes-latine

Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë i ka dalë në mbrojtje kontratës për angazhimin e konsulentit të jashtëm, Gani Jakupit, përmes Ambasadës së Kosovës në Bruksel.

MPJD përmes një komunikate ka thënë se Gani Jakupi është angazhuar sepse është artist i njohur në Evropë e në shtete të Amerikës Latine, raporton Klan Kosova.

“Kontrata e përfolur është lidhur në kuadër të shtimit të kapaciteteve të Republikës së Kosovës për të depërtuar sidomos tek disa shtete të caktuara, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës si dhe për të ofruar konsulencë të mirëfilltë në fushën e diplomacisë publike dhe kulturore”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

“Kontrata është lidhur duke respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj. Përzgjedhja e konsulentit është bërë duke u bazuar në nevojat specifike të projektit konkret dhe njohuritë specifike të tij. Kontaktet e shumta të konsulentit të përzgjedhur në botën e kulturës dhe të medias, sidomos në një numër shtetesh që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, janë një pasuri e çmuar për kulturën, diplomacinë dhe shtetin tonë. Konsulenti i përzgjedhur është një artist i njohur në qarqet e gjera kulturore dhe artistike të Evropës Perëndimore, e sidomos në Francë, Belgjikë dhe Spanjë, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve të Amerikës Latine”, thuhet tutje në komunikatë.

Kjo ministri thekson se sa i përket përmbajtjes së kontratës dhe posaçërisht shumës së përmendur në media, të gjitha procedurat e ndjekura i janë përmbajtur me fanatizëm ligjeve të Kosovës.

“Aq më tepër që shuma e kompensimit material nuk përbën një pagë të mirëfilltë, por përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me përmbushjen e kontratës, pra ndër të tjera edhe mbulesën e kostos jetësore dhe të shpenzimeve të tjera për angazhim profesional në Bruksel. Shuma në fjalë nuk i tejkalon në asnjë aspekt standardet e kontratave të ngjashme të konsulencës, të cilat kanë si synim depërtimin diplomatik në grupe shtetesh dhe në fusha të ndryshme dhe nuk e tejkalon ndjeshëm shumën e kostos së një diplomati të lartë të Republikës së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka thënë ministria.

Sipas MPJD-së, duhet qartësuar gjithashtu se në angazhimin e konsulentit të jashtëm nuk ka pasur asnjë konflikt të interesit, ndërkohë që gjatë procesit e përzgjedhjes, sikur edhe në të gjitha rastet e tjera, faktor ka qenë ekspertiza dhe kompetenca profesionale dhe dobia për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë.

“Publiku i gjerë është i ndërgjegjshëm që në të kaluarën ka pasur kontrata 50-fish më të shtrenjta, por me rezultate shumë herë më modeste sesa kontrata e përfolur gjatë këtyre ditëve”, thuhet tutje.

“Natyra e aktivitetit diplomatik dhe instrumenteve specifike të përdorura për arritjen e objektivave të politikës së jashtme, jo vetëm në Kosovë, është e tillë që publikimi i informacioneve të detajuara është i destinuar të dëmtojë seriozisht diplomacinë dhe interesat e Republikës së Kosovës. Kjo vlen posaçërisht për të gjitha përpjekjet e Kosovës për kontakte dhe vendosje bashkëpunimi me shtetet, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës si dhe shtetet, në të cilët qasja e diplomacisë sonë zyrtare është e kufizuar”, thuhet më tej në komuniatë.

Tutje sipas MPJD-së, Kosova ka kaq shumë qytetarë të saj anë e mbanë botës, të cilët me gjithë suksesin e tyre të jashtëzakonshëm profesional në shumë fusha të ndryshme, asnjëherë nuk e kanë harruar vendin e tyre.

“Krahas karrierës së tyre profesionale, ata angazhohen maksimalisht në kapërcimin e sfidave të ndryshme, me të cilat Kosova është përballur dhe vazhdon të përballet përgjatë procesit të forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Për këtë përkushtim iu takon një falënderim i madh”, thuhet më tej.

MPJD shton se edhe në të ardhmen nuk do të reshtë së kërkuari dhe mundësuari kontributin e të gjithë atyre që kanë vullnet dhe mundësi të ndihmojnë në fusha të ndryshme të diplomacisë, për ta vendosur Kosovën në vendin e merituar në arenën ndërkombëtare si Republikë e pavarur, sovrane dhe demokratike.

Komento: