Është rrëfyer i riu nga Tirana i cili tashmë ka mposhtur koronavirusin.
Erind Cara është pacienti i radhës që shërohet nga virusi vdekjeprurës COVID-19.
Pas trajtimit në Spitalin Infektiv të Tiranës, Cara e mposhti koronavirusin.
Përmes një videomesazhi të shpërndarë në profilin e tij në Facebook, Cara thotë se në këtë luftë të fortë, arma e vetme është qëndrimi në shtëpi.
Ai bën apel që të qëndrojnë të gjithë nëpër shtëpi pasi “virusi është më mirë të parandalohet sesa të shërohet, në kushtet kur ende nuk ka një kurë”.
“Të qëndrojmë në shtëpi dhe të kalojmë kohë me familjarët tanë. Më parë kishim qindra justifikime, puna, koha, pamundesia, lodhja etj. Sot është momenti i duhur të japim dhe marrim dashuri, të bisedojmë me njëri-tjetrin, t’u tregojmë sa shumë i duam. Po po, sa shumë i duam prindërit, motrat, vëllezërit, gjyshërit, miqtë e të gjithë ata që ne konsumojmë me ta gjënë më të rendesishme – KOHËN”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Erindi tregon për miqtë e tij të dhomës që nuk ia dolën dot në këtë betejë. Nuk lë pa përmendur falënderimet emër për emër për bluzat e bardha që u kujdesën për të.
Mesazhi i plotë
Corona virus kryefjala e çdo bisede në të gjithë botën! Sot pas 10 ditësh në terapi pranë Spitalit Infektiv në QSUT dhe pas rezultatit të dy testeve që rezultuan negativ ndaj Covid-19, mund të them që betejën time e fitova dhe po kthehem në shtëpi i qetë dhe me shëndet të plotë. Por humba dhe miq të cilët i njoha gjatë kësaj beteje që nuk ja dolën, dhe pse luftuan deri në frymën e fundit bashkë me mjek e infermier!
Të dashur miq!
Unë fitova betejën me Covid-19 por për të fituar luftën duhet kontributi i të gjithëve NE. Nuk kërkohet asgjë e jashtëzakonshme në këtë luftë por vetëm një gjë, që të gjithë kur nuk e kemi e duam aq shumë: Të qëndrojmë ne shtëpi dhe të kalojmë kohë me familjarët tanë. Më parë kishim qindra justifikime, puna, koha, pamundesia, lodhja etj. Sot është momenti i duhur të japim dhe marrim dashuri, të bisedojmë me njëri-tjetrin, t’u tregojmë sa shume i duam. Po po sa shumë i duam prinderit, motrat, vëllezërit, gjyshërit, miqtë e të gjithë ata që ne konsumojmë me ta gjënë më të rendesishme “KOHËN” !
Dy fjalë për ata që mendojnë se ky virus është diçka pa rëndësi! Qëndroni ne shtëpi! Ky virus nuk të jep një mundësi të dytë. Shoku im i dhomës ishte një djalë i ri, që nuk kishte asnjë sëmundje të mëparshme, kishte një familje të mrekullueshme, nuk i mungonte asgjë por ky virus i rëndoi shëndetin. Një frymëmarrje të thellë thjesht kërkonte. Luftoi, luftoi deri në frymën e fundit sepse ishte larguar pa u përshëndetur me askënd, kishte ardhur se nuk ndjehej mirë, siç mund te jemi secili nga ne. Mbrëmë ai u dorëzua, nuk ia doli dot, la çdo gjë mbrapa dhe koronavirusi e mori pa mëshirë edhe pse ishte i ri dhe i shëndetshëm. PRANDAJ, QENDRONI NE SHTEPI! Për disa të rinj të fort, e të shëndetshëm si unë, qëndroni në shtëpi, mendoni për familjarët tuaj, prindërit, gjyshërit imuniteti i të cilëve është më i dobët dhe COVID-19 e ka më të thjeshtë për t’i marrë në gjirin e tij.
NDAJ QENDRONI NE SHTEPI PER TE DASHURIT TUAJ !
Dy fjale të sinqerta për njerëzit më të rëndësishëm në këtë lufte, mjekët, infermierët, farmacistët, sanitarët dhe te gjithë ato qe shërbejnë dhe kontribuojnë në këtë luftë kundër Covid -19 . Ata janë front në vijën e parë të kësaj beteje 24/24 për te dhënë më të mirën e tyre edhe pse rreziku është shume i lartë. Të mendosh se dhe ata kanë lëne çdo gjë familjen, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, për te qenë aty për t’u shërbyer pacienteve te tyre, atyre qe nuk e donin këtë virus , por ai erdhi dhe i infektoj, por do iu shërbejë dhe atyre që thonin “Nuk na bën gjë ne Virusi“ se kur të arrish atje kërkon vetëm mëshirë, ndihme dhe përkujdesje, kupton sa e rëndësishme është JETA, por qe tani nuk është vetëm ne dorën tënde, por te Mjekëve, Infermierëve, Koronavirusit dhe Zotit lart në qiell, qe po na jep sinjalet e tij të kuptojmë sa e rëndësishme është JETA, gjë të cilën e kishim harruar sepse na “mbyten“ angazhimet, punët, facebook, instagram, kafet dhe gjerat e pa rëndësishme. Duhet të qëndrojmë në shtëpi qe këta Infermiere, Mjekë të jenë sa më pak të rrezikuar. Një falënderim i veçantë shkon për Stafin e Spitalit Infektiv: Dr Najaden, Dr Arjanin, Dr Gentin etj Infermieret Semi, Dasho, Lukja, Eni, Emanuela, e te tjerë.
Ju Falënderoj pa mas për çdo gjë qe po bëni në ato kushte aq të vështira!
Faleminderit !
Ne qëndrojmë në shtëpi !
Ju në krye të detyrës, për ta kaluar sa me lehtë këtë situate të vështirë !
Me Respekt
Erind Cara