
Front Online për mos fillimin e zbatimit të ligjit që rregullon çmimet e barnave ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë(MSh).
Në këtë dikaster kanë thënë se janë në pritje të një interpretimi ligjor për përbërjen e komisionit.
Kjo, për shkak që dy anëtarët e grupit të komisionit janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent që zbaton LIGJIN Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT.
“Ju informojmë se Komisioni ka filluar punën me datë 22/01/24 dhe është në pritje të një interpretimi ligjor rreth përbërjes se komisionit, ku dy nga anëtarët e grupit janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent që zbaton LIGJIN Nr. 06/L -011 PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Front Online.
Sipas tyre në momentin e tejkalimit të kësaj situate do të punohet intensivisht që të del lista e re e çmimeve të produkteve medicinale.
Por, nuk kanë treguar se kur pritet të fillojë zbatimi i tij.
“Në momentin që kjo situatë tejkalohet, Komisioni është i gatshëm të punoj intensivisht në mënyrë që Lista e çmimeve të produkteve medicinale të publikohet sa më shpejtë”, thuhet më tutje në përgjigjen e MSh-së.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë përgjigje për Front Online kur janë pyetur se a kanë inspektorë të mjaftueshëm për të kryer inspektime nëpër barnatore.
Kanë thënë vetëm se janë duke kryer aktivitete inspektuese në barnatore, depo dhe prodhues farmaceutik sipas planit.
“Inspektorati Farmaceutik ka filluar ti kryej inspektimet duke u bazuar në faktorin e rrezikut, ku qëllim ka identifikimin e rrezikut të lartë i cili ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarit me c ‘rast me stafin momental ka arritur me sukses t’i identifikoj rreziqet e larta dhe të merren masat bazuar në dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Front Online.