MSH nuk e pranon që janë ndërprerë shërbimet joemergjente shëndetësore, pacientëve s’u ofrohen ato

16:39 | 15 Dhjetor 2020

Që nga muaji nëntor, në spitalet e SHSKUK-së janë ndërprerë operacionet që nuk janë urgjente.

Derisa nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës e pranojnë se këto shërbime nuk po ofrohen, nga Ministria e Shënetësisë e thonë të kundërtën.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19 më 11 nëntor të këtij viti kishte marrë vendim që të ofrohen shërbime shëndetësore vetëm për rastet emergjente.

Zyra për informim në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, e ka konfirmuar për Express, se me vendim të Komitetit për menaxhim të situatës me COVID-19, i cili funksion në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës është vendosur që të pezullohen ambulancat specialistike, kurse në rastet tjera trajtohen vetëm rastet urgjente, emergjente dhe rastet e karcinomave.

Sipas tyre, ekipet kujdestare 24-orëshe janë në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshëm dhe pacientët që kanë nevojë për shërbime që paraprakisht marrin udhëzim nga mjeku si rast urgjent e emergjent mund të marrin shërbimet mjekësore.

“Secili nga klinicistët e ka të drejtën që të vendosë për rastin në koordinim me shefin e repartit, apo drejtorin e klinikës përkatëse. Secili rast që vlerësohet si urgjent, emergjent, apo karcinomë, merret me prioritet nga klinikat dhe spitalet. Përgjegjës për kategorizim janë vetë mjekët specialistë të cilët bëjnë vlerësimin e gjendjes së pacientëve”, është thënë nga SHSKUK-ja.

Mirëpo, për vendimet e SHSKUK-së, nuk duket mirë e informuar Ministria e Shëndetësisë.

Nga këta të fundit kanë thënë se SHSKUK-ja është duke zbatuar vendimet e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Sipas tyre, operacionet joemergjente janë pezulluar por jo edhe shërbimet joemergjente.

“SHSKUK po zbaton vendimet e Qeverisë për parandalim të përhapjes dhe luftim të infeksionit COVID-19. Edhe pezullimi i operacioneve joemergjente është bërë për këtë qëllim, ndërkohë që kryhen të gjitha shërbimet që nuk janë të natyrës emergjente”, është thënë nga zyra për informim.

Nga MSH-ja kanë thënë se çdo masë e ndërmarrë bëhet në koordinim me të gjitha institucionet që janë të kyçura në menaxhimin e situatës epidemiologjike sa i përket COVID-19 dhe mbi vlerësimet që i bëjnë ekspertët e fushës së shëndetit publik.

Përndryshe, ata nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të fillojnë të kryhen prapë operacionet elektive.

Sipas MSH-së, në momentin që do të jetë situata epidemiologjike më e mirë, do të analizohen masat.

“Sikur ka ndodhur edhe më parë, në momentin që ka situatë më të qetë epidemiologjike, analizohen sërish masat e ndërmarra dhe sillen vendime te bazuara në indikatorë shëndetësor. Institucionet shëndetësore publike në të gjitha nivelet janë duke u ofruar qytetarëve shërbimet e domosdoshme, ndërsa rastet që mund të presin dhe që nuk e rrezikojnë shëndetin e pacientëve, planifikohen”, është bërë e ditur për Express.

Vendimin për ndërprerjen e shërbimeve joemergjent nuk e kanë pritur mirë nga Komisioni Parlamentar për Shëndetësi të cilët kanë kërkuar zgjidhje edhe për pacientët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore, por që nuk janë raste emergjente.

Deputetja nga radhët e AAK-së, e cila është njëherësh edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Albena Reshitaj, nuk e ka përkrahur vendimin e marrë për ndërprerjen e shërbimeve joemergjente shëndetësore.

Ajo ka thënë se për këtë çështje do të kërkojnë sot informacione nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Reshitaj kanë thënë se duhet të shohin nëse për shkak të pandemisë po pengohen klinikat tjera ku trajtohen rastet me probleme tjera shëndetësore.

“Ne do të diskutojmë me ministrin vendimet që kanë marrë javëve të fundit dhe atë se çfarë planifikojnë ditët në vazhdim. Duhet të shohim nëse jemi duke penguar ose nuk jemi duke punuar sa duhet në klinikat ku kemi edhe raste tjera që kanë nevojë për trajtime dhe kujdes shëndetësorë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, nga radhët e Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express se do të kërkojnë sot informacione nga ministri për çështjen e mosdhënies së shërbimeve shëndetësore joemergjente./Express/

Komento: