Vendi pritet të shkojë se shpejti në zgjedhje pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur i sigurt në fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme.
Nënkryetari i AAK-së përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se para zgjedhjeve të fundit parlamentare, kishte bërë publike një këshillë për kundërshtarët e Ramush Haradinajt, ta merrnin shtruar sepse Haradinaj do të bëhej kryeministër.
Ndërsa, sot ai ka thënë se sërish ka një porosi për kundërshtarët dhe mbështetësit e AAK-së.
“Miq mbajeni frymën se AAK-ja po shkon drejt fitores së madhe”, është shprehur Nitaj.
Me 24 korrik Ramush Haraidnaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, për shkak siç ka bërë ai të ditur të ftesës që ka pranuar nga Gjykata Speciale – ku Haraidnaj u intervistua në cilësinë e të dyshuarit. Haradinaj ka kërkuar nga presidenti Thaçi që t’i shpall zgjedhjet dhe t’i jepet mundësia sovranit të zgjedh qeverinë e re, por Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Teksa partitë politike, si ato në pushtet edhe opozitare nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë, javën e ardhshme pritet shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i datës së mundshme për zgjedhjet e reja parlamentare.