
Analisti Shenoll Muharremi vlerëson se rënia e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, mund të ndikojë pozitivisht në ekonominë e Kosovës gjatë muajve të ardhshëm.
Sipas tij, çmimi i naftës ka rënë nën 80 dollarë për fuçi, duke iu afruar niveleve të fillimit të vitit 2025, ndërsa në janar të vitit 2026 kishte lëvizur në intervalin 50-60 dollarë për fuçi. Muharremi thotë se kjo krijon hapësirë për ulje të mëtejshme të kostove të energjisë dhe transportit.
Ai thekson se çmimet më të ulëta të derivateve nënkuptojnë kosto më të ulëta të operimit dhe prodhimit për bizneset, ndërsa ardhja e sezonit veror sjell në treg sasi më të mëdha të produkteve vendore, duke ndikuar në uljen e presioneve inflacioniste.
“Nëse këta faktorë vazhdojnë të jenë të pranishëm, inflacioni gjatë tremujorit të tretë mund të bjerë në intervalin 4 deri në 5 për qind”, vlerëson Muharremi.
Megjithatë, ai paralajmëron se niveli i inflacionit do të mbetet ende mbi objektivin prej rreth 2 për qind dhe se sfidat mund të rikthehen gjatë vjeshtës dhe dimrit për shkak të rritjes së konsumit dhe importit të energjisë.
Sipas Muharremit, ekziston gjithashtu mundësia që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të shqyrtojë rritje të reja tarifore në të ardhmen, për shkak të kostove të larta të importit të energjisë elektrike.
Analisti ekonomik argumenton se zgjidhja afatgjatë për problemin e inflacionit dhe rritjes së çmimeve në Kosovë qëndron tek investimet e mëdha në sektorin energjetik.
“Kosova ka nevojë për projekte energjetike prej 500 deri në 1000 MW, jo vetëm për të mbuluar kërkesën në periudhat e pikut, por edhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson ai.
Muharremi konsideron se rritja e kapaciteteve prodhuese vendore do të zvogëlonte varësinë nga importi i energjisë dhe do të rriste qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj goditjeve të jashtme.