
Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se lufta në Iran ka fillu të ndihet edhe në Kosov ë përmes rritjes së çmimit të naftës.
Postimi i plotë:
Tani lufta në Iran ka fillu me u ndi edhe tek ne n’KS përmes rritjes së çmimit të naftës.
Herën e fundit që e mbusha rezervuarin ishte rreth €1.48 për litër. Nëse para ndërhyrjeve atje ishte rreth €1.23/l, i bie se kemi një rritje rreth 20% vetëm brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Kjo është shumë problematike sepse inflacioni në Kosovë tashmë është në rritje gjatë 2025, dhe raportimi i fundit ka arritur 5.8%. Me rritjen e naftës mund të futemi lehtë në territorin e nxehtë prej 6%+ inflacion.
Dhe mos ta harrojmë një gjë shumë të rëndësishme, kjo po ndodh mbi rritjet e mëdha të çmimeve që kemi përjetuar që nga viti 2021.
Pra qytetarët dhe familjet në Kosovë tashmë janë duke e bartur një barrë shumë të rëndë të shtrenjtimit të kostos së jetës.
Ndërkohë, ata që duhet ta menaxhojnë ekonominë e vendit vazhdojnë të dalin nëpër studio si “ekspertë të Kushtetutës”, derisa kuleta dhe fuqia blerëse e familjeve kosovare po dobësohet dita-ditës.
Qytetarët, familjet, bizneset dhe ekonomia janë në ‘dorë të Zotit’ të menaxhuara e të kujdesur nga askush aktualisht.
E kur kësaj ia shtojmë edhe rritjen shumë të mundshme të çmimit të rrymës, atëherë rrezikojmë seriozisht një valë të re inflacioni që depërton në gjithë ekonominë nga ushqimi, transporti e deri tek çdo shpenzim i përditshëm.
Një valë e re mbi valën e vjetër të shtrenjtimit që ka filluar që nga viti 2021 e deri 2023 dhe që po vazhdon nga 2025 e deri tani. Pra, rritje mbi rritje mbi rritje, e inflacion mbi inflacion mbi inflacion.
Një mikeshë e imja më herët postoi se si çmimi i mishit të bluar kishte shkuar nga rreth 5 euro në vitin 2021 në rreth 15 euro sot, në 2026. Kjo do të thotë një rritje rreth 200% në këtë produkt.
Edhe nëse marrim parasysh se pagat në disa raste kanë pasur rritje gjatë kësaj periudhe, realiteti mbetet i qartë se në shumë produkte bazë qytetarët dhe familjet kosovare janë varfëruar ndjeshëm, sepse rritja e çmimeve ka qenë shumë më e shpejtë dhe më e madhe sesa rritja e të ardhurave.