Nënkryetari i LDK-së: Veprimi i Kurtit në veri është i njëanshëm, s’u koordinua me aleatët.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se janë mbështetës ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti për shtrirje të sovranitetit edhe në veri të vendit, por me kushtin që kjo të bëhet në koordinim të plotë me partnerët e Kosovës.
Po s’u bë në bashkëpunim me ta, Muhaxheri thotë se një veprim që merret në mënyrë të njëanshme nga Kosova i bën dëm vetë asaj, njofton Klan Kosova.
“Si Lidhje Demokratike jemi dhe kemi dhënë mbështetje të shtrirjes së sovranitetit, por ajo që na ka befasuar neve si LDK është moskoordinimi i Qeverisë me veprimin që e ka marrë me aleatët tonë, sidomos me SHBA-në. Pyetja e kryetarit Abdixhiku ishte nëse veprimi ka qenë veprimi i koordinuar dhe nëse është bërë në marrëveshje me partnerët strategjikë. I bie që veprimi është i pakoordinuar dhe i marrë në krye në vete. Kjo është pyetje e kryetarit tonë që ka mbetur pa përgjigje. Ne jemi për të shtrirë sovranitetin, por ai është i mbështetur në miqtë tonë ndërkombëtarë dhe sidomos në SHBA, por edhe në Bashkimin Europian. Veprimet e njëanshme janë të dëmshme për një vend të vogël siç është Kosova”.
Muhaxheri thotë se ky veprim mbetet të shihet në veprimet e ardhshme që do të marrë Qeveria Kurti derisa shton se ato duhet të merren si një shtet i përgjegjshëm.
“Miqtë tonë s’duhet të qiten në sprovë dhe të testohen për veprimet e njëanshme. Çdo veprim është dashur të jetë në koordinim të plotë me SHBA-në dhe BE-në. Nëse s’janë në sinkron s’mund t’i sjellin të mirë Kosovës”.
Muhaxheri në Rubikon ka thënë se mbesin të shqetësuar meqë nuk kanë marrë përgjigje prej kryeministrit se me çfarë mbështetje ka shkuar në veri me forcat speciale.