Analisti politik Artan Muhaxhiri për FrontOnline ka folur për premtimet e kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se fushata e kaluar ka qenë mjaft specifike, pasi Kurti ka bërë premtime që kanë pasur kontradikta mes vete.
Ai thotë se ishte e qartë që shumica e premtimeve të bëra nga Kurti nuk do të mund të realizoheshin, pasi ato nuk përputheshin me mundësitë reale dhe logjikën optimale.
‘’Fushata e kaluar ka qenë tejet specifike sepse Kurti ka dhënë premtime të cilat kanë pasur kontrakdita edhe mes veti dhe ka qenë e qartë që shumica prej tyre nuk realizohen’’ thotë ai.
Muhaxhiri thekson gjithashtu se ndonëse mund të ketë ndryshime të mëdha, ato nuk mund të përfundojnë në një kohë të shkurtër për shkak të shumë hallkave që duhen kaluar.
‘’Ato premtime kanë qenë në shpërputhje edhe me mundësinë reale por edhe me logjikën optimale. Ndryshimet e mëdha mund të nisën por jo të përfundojnë për një kohë të shkurtër sepse ka shumë hallka në të cilat duhet kaluar’’ deklaroi ai.
Ai kritikon Kurtin për mungesën e një plani të qartë gjatë katër viteve të qeverisjes, duke theksuar se premtimet e bëra nuk janë realizuar, që ka rezultuar në dëm të tij dhe të shoqërisë.
‘’Kuri në fushatën e kaluar e ka pasur një synim: marrjen e maksimumit të votave. Katër vitet e Qeverisë së tij tregojnë se nuk ka pasur ndonjë plan të qartë. Në realitet nuk i ka realizuar për të keqën e tij dhe të shoqërisë’’ përfundoi Muhaxhiri.
/FrontOnline/