Muhaxhiri: Pas Ukrainës dhe Gazas, vëmendja kthehet në Ballkan, Grenell do e vendos kartën ‘’merre ose lëre’’

22:08 | 16 December 2024
muhaxhiri:-pas-ukraines-dhe-gazas,-vemendja-kthehet-ne-ballkan,-grenell-do-e-vendos-karten-‘’merre-ose-lere’’

Analisti politik Artan Muhaxhiri,  për FrontOnline ka komentuar rolin e Richard Grenell dhe ndikimin e tij në politikën e jashtme amerikane, veçanërisht në dialogun Kosovë-Serbi.

Muhaxhiri theksoi se Grenell ka besueshmërinë e Presidentit Donald Trump dhe i takon rrethit të ngushtë të tij.

“Richard Grenell është politikan i cili e ka besueshmërinë e plotë të Presidentit Trump dhe i takon rrethit të ngushtë vendimmarrës. Ai konsiderohet si tejet efektiv në politikat Trumpiste”, thotë ai.

Sipas analistit Muhaxhiri, Grenell do të jetë i përfshirë në dialogun Kosovë-Serbi, një proces që sipas tij, do të fillojë pas përfundimit të dy krizave globale, Luftës në Ukrainë dhe asaj në Gaza.

“Pas kësaj, është e pritshme që fokusi i Trump të zhvendoset në Ballkan, ku Grenell do të ketë rol vendimtar, si emisar, i cili e ka edhe besimin e Trump, por edhe përvojën”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Ai gjithashtu ka theksuar se nëse ky plan do të realizohet, ai do të ketë një karakter të prerë dhe të vendosur.

“Ajo që është e sigurt është se plani eventual i Grenell dhe Trump për dialogun Kosovë-Serbi, merre ose lëre, pra nuk do të ketë hapësirë për biseda dhe negocime. Do të ketë presione të mëdha dhe palët që pranojnë planin e ofruar do të kenë dobi”. u shpreh Muhaxhiri.

Komento: