Mungesa e lëvizjes së lirë, vetëm këtë vit mbi 2 mijë persona heqin dorë nga shtetësia kosovare

21:30 | 08 June 2019

Nuk po duan ta kenë pasaportën e Kosovës.

Shtetësia kosovare çdo ditë e më shumë po vazhdon të jetë e padëshirueshme. Numri i atyre që po vendosin të heqin dorë nga pasaporta kosovare është duke u rritur dita ditës, shkruan lajmi.net.

Si shkaku më i madh për një dukuri të tillë po vlerësohet të jetë mungesa e liberalizimit të vizave.

Ky proces tanimë është në dorë të Këshillit të Ministrave të BE-së, dhe hyrja në Agjendë të të njëjtit është konsideruar si sfida më e madhe në këtë proces.

Nga statistikat e ofruara nga ministria e Punëve të Brendshme për lajmi.net, është bërë e ditur se vetëm 184 persona kanë aplikuar për të fituar shtetësinë e Kosovës gjatë periudhës Janar-Maj të këtij viti.

Numër shumëfish më i madh është shifra e atyre që kanë aplikuar për t’u liruar nga shtetësia e Kosovës.

MPB për lajmi.net ka theksuar se afërsisht çdo muaj, 400 persona po aplikojnë për t’u liruar nga shtetësia kosovare.

Gjatë këtij viti, gjithsej 2027 persona kanë aplikuar për t’u liruar nga shtetësia kosovare.

Kujtojmë, se procesi i liberalizimit të vizave, po konsiderohet si një proces politik në Kosovë.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas takimit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel është deklaruar se Gjermania do të jetë shtysë shumë e madhe që Kosova të hyjë në agjendë.

Megjithatë, sipas Haradinajt puna në këtë drejtim ende nuk është kryer dhe se sipas tij Kosovës i duhet ende të punëojë për këtë

Komento: