Bashkimi Evropian është i përkushtuar t’i mbajë vendet e Ballkanit Perëndimor jashtë ndikimit rus dhe kinez dhe, për këtë arsye, samiti i mbajtur sot në Bruksel ka shërbyer për t’i dhënë një shtysë të re zgjerimit.
Ekzekutivi i ri i BE-së, i cili nisi mandatin më 1 dhjetor, shpreson se një nga vendet e BP-së do të jetë në gjendje të bashkohet me klubin në pesë vjetët e ardhshme.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë. Ne edhe një herë rikonfirmojmë përkushtimin tonë të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët, pas përfundimit të samitit.
Në deklaratë thuhet po ashtu se ka një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit dhe progres të dukshëm që nga Samiti i fundit.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët”, u tha në deklaratën e përbashkët, pas samitit.
Por, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe raportit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se “mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i pengon të dy partnerët”.
“Marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd-Prishtinë të ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj. BE-ja rikujton se një parakusht për mbështetjen në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor është që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet mes tjerash në këtë deklaratë.
Shtetet anëtare po ashtu thanë se BE-ja është e përkushtuar që ta afrojë Ballkanin Perëndimor me BE-në tashmë gjatë procesit të zgjerimit.
“Integrimi i tyre gradual tashmë ka filluar në fusha të ndryshme të politikave, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët, në mënyrë reversibile dhe të bazuar në merita”, thuhet në dokument.
Aty u tha gjithashtu se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka potencialin për të dyfishuar rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme.
Lufta në Ukrainë që filloi në shkurt të vitit 2022 ka qenë alarmi që i duhej Bashkimit Evropian për të përshpejtuar procesin dhe për t’u përpjekur të joshë këto vende.
Pika e kthesës ishte samiti i mbajtur në Tiranë, në dhjetor 2022, kur toni ndryshoi rrënjësisht.
Gjashtë vendet në fjalë (Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia) ishin ndjerë të hidhëruar kur Moldavia dhe vendi i pushtuar nga Putini arritën statusin e kandidatit në një kohë rekord, ndërkohë që atyre iu desh të prisnin dekada.