
Kosova do të përballet me mungesën e pesë lojtarëve.
Ish-trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, beson se mungesa e pesë futbollistëve në skuadrën e “Dardanëve” për ndeshjet e shtatorit nuk është arsyetim për rezultatet në këto ndeshje, duke thënë se lëndimet janë normale për çdo skuadër.
Sonte në emisionin sportiv “Favorit”, ku po diskutohet për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, në T7 janë të ftuar ish-trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Albert Bunjaki, dhe trajneri i njohur mitrovicas, Gani Sejdiu.
Gjatë ditëve në vijim, më 7 dhe 10 shtator, Kosova do të zhvillojë ndeshje në “Fadil Vokrri” kundër Çekisë dhe tre ditë më vonë do ta vizitojë Anglinë, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.
Përveç që në këto dy ndeshje Kosova do të përballet me Kombëtare të ranguara më mirë në renditjen e FIFA-s, “Dardanëve” do t’u mungojnë edhe pesë futbollistë të cilët zakonisht janë standardë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.
Megjithatë, Bunjaki nuk mendon se mungesa e këtyre futbollistëve është diçka e veçantë, duke theksuar se edhe ai ishte përballur me mungesa të tilla gjatë kohës sa e kishte drejtuar Kombëtaren e Kosovës.
“Ky është një moment shumë i mirë për një lojtar tjetër t’i jepet hapësira dhe ai lojtar të fitojë nga momenti: e zë vendin e vet dhe pastaj kështu fillohet konkurrenca. Kur jemi te mungesa e lojtarëve, gjithmonë kemi pasur mungesë të lojtarëve”, ka thënë Bunjaki.
“Më kujtohet edhe në kohën time, kur e kemi pasur pasur ndeshjen kundër Ukrainës… Ukraina ka qenë në top 14 të botës, kombëtare mjaft e fuqishme. Në atë lojë, nuk e kam pasur as Arbër Zenelin, as Kolollin, as Herolind Shalës e as Enis Alushin. Pastaj kanë qenë të dënuar Bernard Berisha e Valon Berisha”.
“S’po them se është rast i njëjtë, por në futboll gjithmonë do të kesh mungesa të lojtarëve, dënime, lëndime, etj. Mirëpo, Kosova ka filluar ta krijojë një bërthamë shumë të mirë edhe një konkurrencë brenda bërthamës”.
Kosova deri më tani i ka grumbulluar pesë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara – dy barazime dhe një fitore – duke u radhitur e treta në Grupin A, me një pikë më pak se Anglia dhe Republika Çeke.