Mungesa e rrymës vazhdon të jetë problem në vendin tonë.
Kosova ka disa ditë që po përballet me mungesë të energjisë elektrike.
Reduktimet, më së shumti po i dëmtojnë bizneset vendore. Ankesa nga këta të fundit pati më së shumti javën që lëmë pas. Si të tilla, ato i janë adresuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ZRRE-së dhe KEDS-it.
Aty kërkohej që të mos ketë ndalje të rrymës trefazore.
“Një problem që e kemi parë gjatë javës së kaluar ka qenë mungesa e rrymës tre fazore gjatë 24 orëve këtë shqetësim të bizneseve e kemi përcjell të kryeministri të ZRRE-ja e të KEDS-i që të mos ketë ndalje të rrymës trefazore pasi që më ndaljen e saj ndalen edhe makineritë edhe praktikisht biznesi nuk ka rrymë 24 orë”, tha për FrontOnline kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skender Krasniqi.
E për të i’u dalë në ndihmë këtyre bizneseve, Krasniqi tha se është e nevojshme që Qeveria sa më parë ta hartojnë një plan për mbrojtjen e bizneseve.
“Ndalja e rrymës e dëmton biznesin, është nevojshme që Qeveria të dalë me një plan për mbrojtjen e bizneseve që të mundohet që reduktime të ketë më pak në zonat ku ka biznese në mënyrë që t’i ndihmojmë bizneset që të mos kenë humbje”, tha ai.
E që vendi të mos ketë mungesë të energjisë elektrike kryeministri Kurti tha se duhet të ketë ngritje të çmimit.
Por, sipas Krasniqi, kjo ngritje e çmimit të energjisë do të ndikojë edhe në rritjen e çmimi të produkteve.
“Po biznesi në bazë të këtij çmimi të rrymës e ka edhe shitjen e produkteve, kështu që me shtrenjtimin e rrymës shtrenjtohen edhe produktet”, tha ai.
Ai tha se bizneset nuk mund ta përballojnë këtë ngritje derisa kërkoi nga Qeveria që ta mbulojë një pjesë të pagesës së energjisë.
“Qeveria me këtë të përkrah bizneset me mbulimin e kostos që mundet me bo KEDS-i në këtë rast , të ketë përkrahjen nga Qeveria në shumën që ngritët çmimi i energjisë”, tha ai për Front Online.
Ndërsa njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se Qeveria nuk ka strategji për t’i ndihmuar bizneset të cilat po përballën me mungesë të energjisë elektrike.
“Duhet të pranohet fakti se Kosova e ka humbur betejën me energjinë elektrike para 20 viteve kur nuk është mundësuar ndërtimi i kapaciteteve të reja prodhuese. Bizneset janë të goditura në këtë drejtim është një çështje që duhet të analizohet, gjobat e bizneseve janë më të mëdha se sa mbështetja e tyre dhe e dyta është shqetësueses se Qeveria nuk ka strategji se si t’i mbështet bizneset”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se situata në të cilën ndodhen bizneset është shqetësuese.
Ai tha se puna me gjeneratorë nuk e ka kualitetin e njëjtë dhe se në këto kushtet Kosova nuk mund të jetë konkurruese në treg.
“Një situatë e tillë është shqetësues, nuk i bëhet nderë Kosovës nëse themi se bizneset janë të kyqura me gjenerator sepse është e pamundur që me gjenerator ta kemi apo ta mbajmë nivelin e kualitetit të prodhimeve sikur me energji ne dhe në këtë drejtim nuk duhet të mendohet sa humb biznesi se kur humb biznesi humb edhe Kosova dhe Kosova nuk mund të jetë konkurruese në treg” deklaroi ai.
Gërxhaliu foli edhe për ngritjen e çmimi të energjisë elektrike.
Ai tha se në rast se ka ngritje të çmimi të energjisë Qeveria duhet që t’i subvencionoj bizneset.
“Duhet të bëhet më tepër që të mbështeten bizneset të paktën në formë të subvencionimit apo një përqindje e pagimit të faktuarve të energjisë elektrik ne këtë periudhë kalimtarë sepse kjo është një krizë që besoj se do t’i vi fundi në pranverën e vitit 2022”, u shpreh ai.