Kirurgjia Vaskulare ka mungesë të grafteve arteriale që kushtojnë 800 euro, pacientët detyrohen t’i sigurojnë vetë.
Ka më shumë se një muaj që në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare ka mungesë të grafteve arteriale të madhësisë prej 8 milimetrash që zëvendësojnë arterien e pacientëve. Në mungesë të tyre pacientët po detyrohen t’i sigurojnë vetë ato, por çmimi i këtyre lloj protezave është mjaftë i shtrenjtë pasi kostoja shkon deri në 800 euro.
Fehmi Uka që nga e hëna është i shtrirë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare pasi gishtat e këmbës i ka në gjendje shumë të rëndë, e ndonëse iu tha se do të mund të operohet të martën, ky pacient ende nuk ka arritur ta kryejë këtë ndërhyrje kirurgjike pasi mungojnë graftet arteriale.
Sipas tij, kostoja prej 800 eurosh për ta blerë këtë lloj bajpasi është mjaft e lartë, por nuk ka pas zgjidhje tjetër.
“Tash për momentin kam problem me këmbën… mjekët po më thonë se për ta bërë operacion por ai bajpas po më kushton goxha shtrenjtë: 800 euro… Duhet me e ble… Qe katër ditë (jam i shtrirë)…. Më kanë thënë ditën e martë që do të operohem… Kjo është që këtu spitali nuk po ka, në privat po kushton dhe nuk po gjenden”, tha ai.
E ndonëse e siguroi dhe e bleu vetë një protezë arteriale të tillë, pacienti Uka nuk u operuar gjatë kësaj jave, pasi bajpasi nuk i kreu punë meqenëse madhësia e atij që e bleu ishte 6 milimetra, kurse pacientit i duhet 8 milimetra.
Ai thotë se nëse nuk arrin të operohet me kohë rrezikon ta humb komplet këmbën.
“Nuk më bëri kjo sepse ai është 6 mm tash po duhet 8 milimetra dhe nëse e gjejnë duhet nëse jo duhet të qëndroj kështu… nëse rrezikohet mundet edhe me u këput, të shkojë këmba krejt”, u shpreh ai.
Për mungesën e graft-arterialeve të gjatësisë prej 8 milimetrash, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari thotë se e kanë njoftuar menaxhmentin e SHSKUK-së. Mungesat, sipas tij, janë për shkak se furnizuesit nuk i kanë furnizuar me këto lloj proteza për shkak të ndryshimit të çmimit.
Ai thekson se nëse këto grafte nuk sigurohen nga SHSKUK, apo vet pacientët, rrezikohet që shëndeti i të sëmurit të përkeqësohet edhe më shumë.
“Tani kemi mbetur me një pjesë të protezave, bajpaset, kur t’i bëjmë ajo është graft i themi ne në vend të arteries të vetë e marrim graft-arterial është si plastikë, graft që e zëvendëson arterien e pacientit. Nuk kemi tani për momentin 8 milimetra, janë të detyruar pacientët me i ble… Ajo kushton diku deri në 800 euro duhet me ble ose me prit pacienti ose i keqësohet gjendja sepse nuk kemi… Graftet mungojnë prej një muaji…. Ne i kemi bërë drejtorisë kërkesën ata që i kanë pasur furnizuesit, nuk po furnizojnë tani se ua kanë rritur çmimet edhe atyre dhe tash nuk po kanë llogari me atë çmim ashtu siç kam informata, unë tash besoj në javën e ardhshme që do të bëhet një zgjidhje unë kam dërguar kërkesat edhe tek doktor Valboni (Krasniqi, drejtor i SHSKUK) ka mbet ai t’i rregulloj dhe t’i nënshkruaj”, theksoi ai.
KosovaPress ka tentuar të marr një përgjigje nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës për mungesën e këtyre materialeve operative në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, por që këta të fundit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.