Spitalet rajonale përballen me mungesë të kuadrove.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar vazhdimisht i duhet të ofrojë mbështetje për kuadrot që mungojnë nëpër spitalet rajonale. Spitali i Vushtrrisë nuk ka specialist të biokimisë dhe asistohet nga Klinika e Biokimisë në QKUK. E konsulta përmes sistemit elektronike pritet të bëhen edhe me Spitalin e Pejës për leximin e imazheve nga reparti i radiologjisë.
Nga viti kaluar në Spitalin e Vushtrrisë nuk ka biokimistë. Madje profesionistë të kësaj fushe nuk shprehën interesim për vendin e lirë të punës që u hap në këtë institucion shëndetësor.
“Momentalisht spitali i Vushtrrisë funksionon pa biokimist. Që nga viti 2022 dy specialistë e kanë lëshuar punën. Edhe pse kemi hap konkursin s’ka të interesuar”, theksoi Filloreta Berisha, drejtoreshë mjekësore në Spitalin e Vushtrrisë. Ky repart aktualisht realizon punën vetëm me stafin teknik dhe asistencë nga Klinika e Biokimisë në QKUK.
“Momentalisht e kemi shërbimin 24 orë të laboratorit dhe po mundohemi ta mbajmë aktiv sa të mundemi me këtë gjendje pa biokimist. Analizat i merr stafi teknik, i lexon aparatura, derisa aty është edhe kryetekniku. Nëse kemi ndonjë vështirësi i drejtohemi SHSKUK-së apo Klinikës së Biokimisë”, shtoi tutje Berisha.
Asistencë nga SHSKUK përmes sistemit elektronik pritet të ofrohet edhe për Spitalin e Pejës. Aty ka pak radiologë krahasuar me kërkesat.
“Një mundësi alternative që na kanë dhënë është që të komunikojmë përmes sistemit elektronik, d.m.th grafikat apo imazhet e CT-së apo rezonancës magnetike t’i dërgojmë dhe më pas ata të caktojnë një specialist në mënyrë që të përgjigjen. Kjo gjë po praktikohet në sistemet private dhe meqenëse është funksionale duhet me u gjend edhe ne”, tha Fazli Shala, drejtor i Spitalit të Pejës.
Ndërkohë, nga SHSKUK-ja thanë se do të vazhdojnë mbështetjen me staf sipas nevojës për spitalet e përgjithshme.