Mungoi në seanca, kërkohet t’i merret mandati Uran Ismailit

22:11 | 05 April 2019

Uran Ismaili, si ministër i Shëndetësisë, është marrë të enjten me Spitalin e Prishtinës.

Mirëpo, Ismaili nuk i ka përmbushur obligimet e tij si këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Prishtinës, raporton emisioni 038 i KTV-së.

Ai i prin listës së mungesave në mbledhjet e Kuvendit Komunal me 11 të tilla. Ismaili, si përfaqësues i PDK-së në asamble, ka munguar radhazi në mbledhjen e pestë, gjashtë dhe shtatë.

Në mbledhjen e tretë të këtij viti, ai erdhi pasi opozita e kritikoi për mungesat e shumta.

Me 7 mungesa, e dyta në listë gjendet këshilltarja komunale e PSD-së, Visare Gorani – Gashi, e cila tash e një kohë gjendet jashtë vendit. Ajo ka munguar në tri e më shumë mbledhje radhazi.

Neni 37 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale thotë se nëse anëtari që nuk merr pjesë për tre muaj rresht në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, pa arsye, i merret mandati.

Por, zyra për media e Komunës i ka thënë televizionit se të gjitha mungesat janë të arsyetuara, andaj nuk mund të merren masa ndaj këshilltarëve.

“Për të marrë masa ndaj një anëtari të Kuvendit, duhet të plotësohen kushtet e parapara me ligj. Pra, një anëtar duhet të mungojë 3 mbledhje radhazi pa arsye. Situatë të tillë nuk kemi pasur deri më tani. Sa herë që ka ndodhur të kemi mungesa, anëtarët i kanë arsyetuar ato”, kanë thënë nga kjo zyrë.

Ismaili i ka arsyetuar mungesat te kryesuesi i Kuvendit, Agim Kuleta, me “udhëtimet zyrtare si ministër dhe obligimet e përcaktuara më herët në kuadër të Ministrisë”.

Ndërsa, Gorani – Gashi i ka arsyetuar ato me “Udhëtime zyrtare dhe udhëtime me punë jashtë shtetit”.

Kuleta thotë se nuk mund ta vlerësojnë vërtetësinë e arsyetimeve, pasi këtë nuk e kërkon ligji.

“Këtu kemi të bëjmë me vakum ligjor. Krejt kjo çështje rregullohet me një pikë, ku kërkohet arsyetim. Nuk përcaktohet as procedura e njoftimit, e as kriteret se kur mund të konsiderohet një arsye valide e kur jo. Prandaj, është parim juridik që pa qenë e specifikuar me ligj, askush nuk mund të ndërmarrë veprime në bazë të perceptimeve personale”, ka thënë Kuleta.

Mirëpo, ndryshe mendon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila thotë se kryesuesi obligohet të evidentojë arsyetimin e mungesave.

“Në ligj nuk ka një procedurë të shkruar, por nga praktika, Kryesuesi është i obliguar të mbajë evidencë të saktë dhe nëse vëren se ka mungesa të anëtarëve që plotësohet ky kusht ligjor, ta njoftojë menjëherë KQZ-në për zëvendësimin e anëtarit”, kanë thënë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Opozita, por edhe partnerë të koalicionit të Shpend Ahmetit, po kërkojnë që të merren masa ndaj këtyre këshilltarëve komunalë.

Që nga konstituimi i Kuvendit në janar të 2018-s, këshilltarët komunalë kanë bërë 46 mungesa.

Totali i mungesave = 46

Uran Ismaili – 11 mungesa

Visare Gorani – Gashi – 7 mungesa

Baton Dushi – 6 mungesa

Blerand Stavileci – 5 mungesa

Sokol Berisha – 3 mungesa

Vlora Dumoshi – 3 mungesa

Florida Canolli – 2 mungesa

Vjosa Krasniqi – 2 mungesa

Drilon Pireva – 2 mungesa

Valbona Petrovci – 2 mungesa

Milot Podvorica – 1 mungesë

Mirsad Vitija – 1 mungesë

Leutrim Retkoceri – 1 mungesë

Fiknete Bejta – 1 mungesë

Milazim Vitija – 1 mungesë

Fadil Gashi – 1 mungesë

Yll Bogaj – 1 mungesë

Mungesat në tri e më shumë mbledhje rresht:

Visare Gorani – Gashi

Mbledhja e parë

Mbledhja e dytë

Mbledhja e jashtëzakonshme

Mbledhja e dhjetë

Mbledhja e njëmbëdhjetë

Mungesat në tri mbledhje rresht

Uran Ismaili

Mbledhja e pestë

Mbledhja e gjashtë

Mbledhja e shtatë

Komento: