Mungojnë psikologët në shkolla, ja cilat zona qëndrojnë më së keqi – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Mungojnë psikologët në shkolla, ja cilat zona qëndrojnë më së keqi

13:50 | 30 Dhjetor 2018

Ndonëse në vend ka shumë psikologë të diplomuar, pothuajse në të gjitha nuk ka ndonjë të tillë.

Shkolla “Mihail Grameno” në Fushë Kosovë ka 2 mijë e 723 nxënës, ndërsa një mijë prej tyre janë bartur në objektin e ri. Përkundër numrit të konsiderueshëm të nxënësve, kësaj shkolle i mungojnë psikologët.

Ndonëse 80 shkolla në Kosovë posedojnë psikologun e tyre, pjesa tjetër e tyre mbetet e përjashtuar nga kjo gjë.Në rastet kur në kuadër të stafit të shkollave mungon psikologu, vështirësohet procesi mësimor për mësimdhënësit, si dhe për nxënësit.

Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi, tregon se në mënyrë që t’u ofrohet ndihmë nxënësve që kanë nevojë, disa herë është përpjekur që të sigurojë psikologun e shkollës, por kjo nuk është realizuar.

Gashi thotë se kanë paraqitur kërkesa për të pasur edhe asistentë në klasa, por në mungesë të buxhetit thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, përveç kur prindërit me të ardhura vetanake kanë ndërmarrë këtë veprim.

Edhe Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës thekson rëndësinë e psikologut në shkollë. Rrethanat në të cilat gjendet sot arsimi dhe problemet me të cilat ballafaqohet arsimi, sipas tij, e kanë ngritur çështjen e rëndësisë që shkollat apo drejtoritë komunale të arsimit duhet të punësojnë edhe staf të psikologëve.

Ndërsa udhëheqësja e Divizionit për Arsimin Gjithëpërfshirës në MASHT, Lulavere Behluli, ka thënë se e kanë të rregulluar mjaft mirë punësimin e psikologëve në shkolla. Njëherësh, ajo ka bërë të ditur numrin e shkollave që posedojnë psikologë, derisa ka thënë se në zonat rurale ka mungesë të tyre.

Përgjithësisht ekziston pajtueshmëria se prania e psikologëve në shkolla ndikon në përmirësimin e procesit mësimor, si dhe është tejet dobiprurëse si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit./kp

Komento: