Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të Arsimit në Rahovec

12:38 | 30 Shtator 2024
mungon-deshmitari,-shtyhet-gjykimi-per-korrupsion-ndaj-drejtorit-te-arsimit-ne-rahovec

Për shkak se dëshmitari Refki Kryeziu gjendet jashtë vendit, ka dështuar sërish seanca e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku Avni Morina në cilësi të drejtorit të Arsimit në Rahovec po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj bëri të ditur se Stacioni i Policisë në Rahovec kanë vepruar sipas urdhëresës dhe kanë njoftuar gjykatën se dëshmitari Kryeziu gjendet jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Morina, avokati Dardan Morina tha se mbetet pranë propozimit që dëshmitari Kryeziu të dëgjohet edhe njëherë.

Ndërsa, prokurorja, Ardita Beqiraj-Hyseni kërkoi nga ana e gjykatës që të bëhen përpjekje maksimale për sigurimin e prezencës së dëshmitarit, që sipas saj, kjo çështje mos të zvarritet.

Po ashtu, prokurorja Beqiraj-Hyseni kërkoi nga gjykata që në seancën e radhës të shikohet edhe mundësia për revokimin e aktvendimit për dëgjimin e dëshmitarit Kryeziu, pasi që i njëjti është dëgjuar pranë kësaj gjykate.

Në këto rrethana, seanca e radhës u caktua për një datë tjetër.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Avni Morina po akuzohet se nga muaji janar-qershor të vitit 2021, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës Xhevahire Hajda, dhe buxhetit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i njëjti në zyrën e tij, iu ka mundësuar Refki Kryeziut-profesor në lëndën e Edukatës Fizike në SHMTP “Selajdin Mullabazi” në Rahovec dhe të dëmtuarës së lartcekur që të nënshkruajnë një marrëveshje-deklaratë të përbashkët, të njëjtën e vërteton me vulë zyrtare.

Sipas aktakuzës, nga kjo marrëveshje ka përfituar Refki Kryeziu që të marrë pagën e plotë mujore janar-qershor, pa dalë fare në punë, po ashtu dhe shtesat për COVID-19 në shumë prej 100 euro çdo muaj. Gjatë kësaj kohe sipas kësaj marrëveshje, e dëmtuara Xhevahire Hajda, e kishte zëvendësuar të njëjtin pa përfillur procedurat ligjore për rekrutim, ashtu që pa kontratë i ka mbajtur 26 orë mësimore, duke mos figuruar fare në listën e pagave dhe për muajt janar-shkurt, nuk paguhet fare.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara nga muaji mars-qershor ishte paguar në mënyrë private nga profesori Refki Kryeziu.

Për këto, i pandehuri Avni Morina po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Komento: