Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një postim të më hershëm në rrjetin social, kishte treguar se nuk do të lëshohet ujësjellësi për 22 fshatra ngase në disa segmente nuk janë vendosur fare gypat, madje ai kishte njoftuar organet kompetente për ta hetuar rastin.
Projekti është realizuar gjatë viteve 2012-2014, madje është bërë pranimi teknik, por, qershori që ishte planifikuar të fillonte punën ujësjellësi do të ketë vonesa ngase mungojnë gypat në disa segmente dhe tërë çështja është nën hetime.
Policia e Kosovës kishte nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë rast dhe sot ka pasur veprime konkrete në këtë komunë.
“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit pas pranimit të informacioneve zyrtare nga vetë Komuna e Drenasit, ka ndërmarrë sot veprime policore lidhur me një rast të iniciuar me datën 12.04.2019, i cili ka të bëjë me dyshimet për përfshirje të disa zyrtarëve në veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrimi në detyrë’, që ndërlidhen me një projekt tenderues të disa viteve më parë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Pas hetimeve të kryera në cilësinë e personave të dyshuar janë intervistuar pesë persona, prej tyre tre zyrtarë të kësaj komune, një ish zyrtar i komunës dhe një person i kontraktuar për menaxhimin e projektit tenderues, të cilët me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet mbi dyshimet e bazuara të përfshirjes së mundshme edhe të personave të tjerë.