Murati: Buxheti për projekte kapitale është ndarë proporcionalisht

00:01 | 05 December 2022

Hekuran Murati ka thënë se është i pavërtetë lajmi se katër komunat në të cilat udhëheq Lëvizja Vetëvendosje do të kenë 52 për qind të buxhetit për investime kapitale.

Ai tha se nga 811 milionë euro sa do të ndahen vitin e ardhshëm për investime kapitale, katër komunat që i udhëheq Lëvizja Vetëvendosje do të përfitojnë vetëm 12 milionë euro.

“Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5%. Larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull”, ka shkruar Murati, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale është shpërndarë proporcionalisht nëpër të gjitha komunat përmes grantit qeveritar.

“Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë”.

“Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, tha Murati.

Komento: