Murati emëron Rracin në krye të Inteligjencës Financiare, por vendimet e tij të mëparshme i sjellin ende dëme Telekomit

16:08 | 23 December 2024
murati-emeron-rracin-ne-krye-te-inteligjences-financiare,-por-vendimet-e-tij-te-meparshme-i-sjellin-ende-deme-telekomit

Genc Rraci, bashkëshorti i kryeshefes së Postës së Kosovës, tash është drejtuesi i inteligjencës financiare të Kosovës. Ai u emërua në këtë pozitë nga Ministria e Financave, që udhëhiqet nga Hekuran Murati. Sidoqoftë, Rraci kishte marrë një vendim sa ishte kryetar i bordit të përkohshëm të Telekomit të Kosovës, të cilin e ka kontestuar në disa raste gjykata. Me ç’rast, organi gjykues po e detyron Telekomin edhe të shqiptojë gjoba për të.

Gazeta Insajderi raportoi se Rraci është emëruar drejtor i Inteligjencës Financiare. Ai më 2023-ën është emëruar kryesues bordi i Këshillit Kosovar për Raportim Financiar.

Genc Rraci është bashkëshorti i kryeshefes ekzekutive të Postës së Kosovës, Nora Rracit.

Rraci më herët ka qenë edhe pjesë e bordit të përkohshëm Telekomit të Kosovës. Rraci, Naim Maloku, Lule Ahmedi dhe Hekuran Nikqi nëpërmjet një letre ia kishin përcjellë ish-kryeministrit Avdullah Hoti dorëheqjen para katër vitesh.

Ai sa ka qenë kryesues i bordit të përkohshëm te ndërmarrjes publike Telekomi, kishte marrë një vendim. Që t’i ulte pagat. Në vendim thuhej se koeficienti do të ngritej në momentin kur ndërmarrja publike të operojë me fitim.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve TK sh.a. e SHFUQIZON Vendimin e BtD TK sh.a. me numér protokolli 01-6807/19 te dates 31.12.2019,si dhe Rregulloren për caktimin e koeficientit të gradave me nr.01-6808/19 te dt. 31.12.2019 e cila ishte pezulluar me vendim të BtD sh.a. dt. 29.01.2020 me nr protokolli 01-472-20.

“Pas kërkesës se UD Kryeshef Ekzekutiv TK sh.a .bazuar në gjendjen financiare të korporates, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve e APROVON propozimin e UD KE TK sh.a. për ndryshimin e koeficientit të gradave me miratim për ngritjen e serishme të tyre kurdo që Menaxhmenti Ekzekutiv e dëshmon se Ndërmarrja po fillon të operoj me profitabilitet”, thuhej në vendimin që dilte nga Rraci.

Gjykata Themelore në Prishtinë në një vendim të 21 nëntorit të vitit që shkoi i kishte dhënë të drejtë paditësit (punëtor i Telekomit) për zbritje të pagës. Për këtë arsye dhe për një veprim të Burbuqe Hanës për revokim të kontratës, Telekomi obligohej nga Themelorja të paguante afro 30 mijë euro kompensim financiar.

“…Ka shtuar se pasi që në marrëdhëniet e punës nuk mund të ndryshohet paga pa marrëveshje të dyanshme në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit. Përveç ndryshimi të koeficientit pas një kohe e paditura e ka marr një vendim tjetër me të cilin për disa punonjës e ka ndryshuar vendimin, duke e anuluar ndryshimin e koeficientit dhe të gradëve dhe me këtë konsiderojmë se ndaj paditësit është bërë edhe diskriminimi në page. Po ashtu i njëjtit i është mohuar edhe e drejta për realizimin e pagës jubilare, sipas kontratës kolektive pasi që i njëjti i ka kaluar më tepër se 10 vite në marrëdhënie të punës me të paditurën. Saj përket ekspertizës financiare të njëjtën e kemi pranuar dhe për të njëjtën nuk kemi ndonjë pyetje po vërtetje”, thuhej ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Themelorja në Prishtinë në korrik po ashtu nxjerrte në vendim pro një punonjësi të telekomit. Gjykata detyronte Telekomin që për vendimin e Rracit dhe atë të Hanës, duke e dënuar Telekomin me shtatë mijë euro.

“a) Në emër të kompensimit të pagës/diferencës neto e arritur për pagesë nga data 06.07.202 (data e lëshimit të vendimit kontestues me numër 01-2098/2021) e deri me datën 30.01.2022 (skadimi i kontratës së punës me numër 01-4134/2018, e themeluar me dat 03.10.2018) shumen prej 1,995.07 €, në emër të pagesës së trustit pensional/diferencë 5%, ti paguhen Trustit Pensional të Kosovës, e arritur për pagesë nga data 06.07.2021 deri me datën 30.01.2022, shumën prej 108.85 €, si dhe në emër të tatimit në të ardhur personale/diferencës, ti paguhen buxhetit të Kosovës-ATK, e arritur për pagesë nga dat 06.07.2021, e deri me datën 30.01.2022, shumen prej 73.08 €, apo shumën e përgjithshm prej 2,177.00 €”, thuhej ndër të tjera në vendim.

Sidoqoftë, përveç këtyre dy pozitave publike, Rraci ia kishte mësyrë edhe asaj të guvernatorit të BQK’së. Ai ishte vlerësuar me 24.5 pikë nga komisioni britanik. Emri i tij s’ishte dërguar fare në Kuvendin e Kosovës për votim.

Në deklarimin e pasurisë të vitit që shkoi, ai njofton se ka pasur edhe pozitë menaxheriale në komisionin e auditimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai punon edhe si këshilltar i jashtëm në ‘Adviesgroep88’, firmë në Holandë. Në një bankë atje, Rraci i ka të deklaruara si kursime përreth 70 mijë euro.

Më 3 gusht të vitit 2021 Murati kishte shkarkuar nga detyra drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiun.

Komento: