Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se të mërkurën është procesuar pagesa e pensioneve që janë paraparë të dalin në datën 15 të këtij muaji.
Murati ka njoftuar se pensionmarrësit e skemave të kategorive të luftës kanë marrë pensionin me rritje prej 20%, kurse për kategoritë e tjera siç janë familjet e dëshmorëve, familjarët e të zhdukurve të UÇK-së si dhe familjarët e të vrarëve rritja ka qenë më e lartë.
“E veçanta është se të gjithë pensionmarrësit e skemave të kategorive të luftës, sot e kanë marrë pensionin me rritje prej 20%, e për disa prej kategorive siç janë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së apo familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve civilë rritja është edhe më e lartë. Pensionet për këto kategori nuk ishin rritur as në Qeverinë Mustafa (PDK-LDK) kur ministër i financave ishte Avdullah Hoti, e as në Qeverinë Haradinaj (PDK-AAK-Nisma) kur ministër i financave ishte Bedri Hamza”, ka shkruar Murati në Facebook.