Murati: Ripërcaktimi i kufijve ishte rast historik, do të rikthehet përsëri

22:58 | 20 October 2022

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se ripërcaktimi i kufijve me Serbinë do të ishte zgjidhja më e mirë.

Zgjidhja më e mirë për shtetin e Kosovës, sipas kryetarit të Lëvizjes për Bashkim, do të ishte ripërcaktimi i kufijve me Serbinë.

Murati, në “Debat Plus”, ka thënë se Kosova në mënyrë të turpshme e kishte humbur rastin të cilin e ka cilësuar si historik, për ta zgjidhur çështjen e Kosovës dhe Serbisë, përmes ripërcaktimit të kufijve.

Murati u shpreh se beson shumë se një ide e tillë do të kthehet përsëri, pasi sipas tij, formimi i Asociacionit me Shumicë të Komunave Serbe, do të dështojë.

“Ne e kemi futur veten me këtë qasje në rrugë qorre. E kemi lëshuar për turpin tonë rastin historik të zgjidhjes së problemit shqiptaro-serb, përmes ripërcaktimit të kufijve. Pse kam besim që kthehet ajo? Sepse këto do të dështojnë. Asociacioni do të dështojë në implementim”, ka thënë Murati.

“Domosdo do të kthehet, sepse nuk ka zgjidhje tjetër funksionale në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka, që të përfundojmë me një marrëveshje që kushtetutën e ndryshon, funksionalizohesh si shtet dhe e zgjidh problemin. Atëherë ndesh le të njohë Serbia ndesh jo, atëherë nuk na nevojitet njohja e Serbisë”, ka vijuar ai.

Murati theksoi se Kosovës nuk i nevojitet njohja nga Serbia, nëse mbetet shtet jofunksional. Ai ka përmendur disa shtete të cilat janë pjesë e OKB-së, por nuk kanë stabilitet brenda.

“Dua ta bëj shtetin funksional, duam të hyjmë në OKB, të na njohë Serbia dhe të mbesim brenda jofunksional. Edhe Sudani është në OKB jugor, edhe Bosnja është, edhe Ukraina. Është dashur ta vendosim në qendër të synimeve të përfundimit të dialogut rritjen e funksionalizimit të shtetit të Kosovës dhe zgjidhjen e problemeve, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë qenë hisenik në pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Murati.

Murati e kritikoi kryeministrin Kurti, për ide populiste, teksa tha se ai nuk ka ide se si do të zgjidhet çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë./RTV Dukagjini/

Komento: