Murati ‘selam’ grevistëve, thotë se nuk do t’i paguajnë ata që protestojnë

15:17 | 29 Gusht 2022

Ministri Murati thotë se nuk do t’i paguajnë ata që protestojnë, kërkon ndërprerjen e grevës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se të gjithë punonjësit që janë në grevë nuk do të paguhen.

Murati gjatë një konference për medie ka kërkuar nga BSPK-ja dhe SBASHK që të ndërpresin grevën, e cila ka filluar ditë më parë.

“E drejta e grevës është e garantuar, praktikat nuk e obligojnë punëdhënësin për aq kohë sa është në grevë, grevistët të paguhen. Këtë shembull e ndjekin edhe shtete e tjera. Sindikata i kompenson për greva”, tha Murati.

Ai ka shtuar se Projektligji për Paga do të procedohet Kuvend sapo të kthehet legjislativi nga pushimi.

“Kemi procedura Projektligjin për Paga, e do të procedohet në Kuvend. Janë marrë parasysh vërejtjet e përfaqësuesve të arsimit dhe shumë kërkesa”, ka shtuar ai.

Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.

Pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.

Komento: