Murati thotë se përmes rishikimit të buxhetit po synojnë mposhtjen e pandemisë

16:38 | 16 Korrik 2021

Ministri Murati thotë se përmes rishikimit të buxhetit po synojnë mposhtjen e pandemisë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se përmes rishikimit të buxhetit po synojnë mposhtjen e pandemisë.

Murati është shprehur se të gjithë treguesit në dispozicion deri më tani tregojnë për një rikuperim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021, krahasuar me projeksionet fillestare.

Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

“Me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Me këtë rishikim të hyrat buxhetore priten të rriten me rreth 155 milionë euro, gjë që mundëson edhe rritjen e shpenzimeve dhe ekzekutimin e buxhetit përkatësisht. Në këtë rritje vlen të theksohet që përfshihet edhe një dividentë e paraparë prej 30 milionë eurove nga dy ndërmarrje publike. Sa i përket deficitit buxhetor dhe borxhit publik marrë parasysh performancën e mirë deri në fund të vitit pritet të kemi përmirësim edhe të këtyre indikatorëve”, tha ai.

Murati tutje shtoi se synojnë një riorientim të shpenzimeve drejtë atyre sektorëve apo fushave që janë prekur më së shumti nga situata COVID-19, për të ruajtur shëndetin publik dhe kapacitetet prodhuese dhe konsumuese të ekonomisë sonë.

Komento: