Duket se Vedat Muriqi do ta vazhdojë karrierën e tij në Angli.
Sulmuesi i Fenerbahces, Vedat Muriqi, ua ka bërë me dije drejtuesve të klubit se dëshiron ta vazhdojë karrierën në Premierligë në Angli nga sezoni i ardhshëm, me Tottenhamin e Jose Mourinhos që thuhet të ketë shfaqur interesim të madh për kosovarin.
Për yllin e Kombëtares së Kosovës është përfolur vazhdimisht në muajt e fundit në veçanti dhe gjatë afatit kalimtar të janarit se do ta vazhdojë karrierën në Angli apo Itali dhe tani duket se ai e ka ndarë mendjen për këtë.
Sipas mediave turke, Muriqi ia ka bërë me dije bordin të Fenerbahces së dëshiron ta vazhdojë karrierën në Premierligë nga sezoni i ardhshëm.
Për 25-vjeçarin, i cili i ka shënuar 15 gola në 28 paraqitje për klubin nga Superliga e Turqisë këtë sezon, interesim ka shprehur edhe Manchester Unitedi, përveç Tottenhamit, në afatin kalimtar të janarit.
Muriqi iu bashkua Fenerbahces nga Rizespor gjatë verës së 2019-s për 3.5 milionë euro, por pas paraqitjeve mbresëlënëse për ekipin kombëtar të Kosovës dhe Fenerin në sezonin e tij të parë te gjiganti turk, vlera e tij në treg u rrit shumë.
Loja madhështore në dy sezonet e fundit në ligën elitare turke dhe me ekipin kombëtar dardan ka bërë që shumë klube të mëdha evropiane t’i kushtojnë vëmendje Muriqit.
Manchester United dhe Tottenham Hotspur në Premierligë dhe Lazio në Serie A thuhet të jenë të interesuara për ta pasur në skuadër sulmuesin kosovar për sezonin e ardhshëm.
Madje, trajneri Jose Mourinho e sheh Muriqin si zëvendësues ideal të Harry Kane, i cili pritet të largohet nga klubi në verë.