Muriqi drejt historisë në Mallorca

12:54 | 27 February 2023

Një dhjetëshe për Muriqin, ylli kosovar drejt historisë në Mallorca.

Vedat Muriqi është duke shfaqur formë jetësore me Mallorcan në këtë edicion.

Sulmuesi kosovar kohëve të fundit e pati një krizë, me ç’rast i munguan golat në shtatë ndeshje radhazi.

Por, në dy xhirot e fundit, “Pirati” ka shënuar dhe kështu iu kthye “avazit të vjetër”, shkruan “Gazeta Express”.

Muriqi realizoi edhe në fundjavë në humbjen nga Espanyoli, një gol spektakolar nga ana e prizrenasit.

Me këtë rast, ai arriti në kuotën e 10 golave sezonalë me ekipin ishullor.

E kur kanë mbetur edhe 15 xhiro për t’u luajtur, 28 vjeçari synon të shënojë sa më shumë gola për ta shpëtuar prapë Mallorcan pa rënë nga liga.

Më së shumti gola brenda një sezoni për Mallorcan i kishte shënuar Guiza, 27, ndërsa më pak kishin shënuar Magdaleno 19 Magdaleno, Eto’o 17, Luque 14, Budimir 13, Pandiani 12…

Pra, përfaqësuesi kosovar është në rrugë ta mbarë të thyejë rekorde dhe ta shkruajë emrin e tij në histori të Mallorcas, nëse vazhdon me ritëm të njëjtë.

Ish-futbollisti i Fenerbahçes dhe i Lazios e ka pranuar se ndihet i lumtur kur shënon gola, pasi kjo është puna dhe detyra e tij, por që më shumë e gëzojnë fitoret e ekipit.

Mallorca e kishte blerë Muriqin nga Lazio për afro 9 milionë euro pasi atij i dështoi transferimi në Club Brugge, shkruan “Gazeta Express”.

Futbollisti kosovar e kishte ndihmuar ekipin spanjoll të mbetej në La Liga në edicionin e kaluar, kur ishte huazuar nga “Biancocelesti” në pjesën e dytë të sezonit 2021/23.

Kohëve të fundit po spekulohet për interesimin e klubeve të njohura të La Ligas dhe të Premierligës për shërbimet e tij, por për momentin nuk ka asgjë konkrete.

Muriqi është mjaft i lumtur në Mallorca, ku është bërë edhe heroi i ri i tifozëve të këtij klubi.

Komento: