Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit ia ka prishur krejt planet Mallorcës.
Sulmuesi kosovar ishte lënduar në përballjen e muajit të kaluar të “Dardanëve” ndaj izraelitëve në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Më pas, stafi mjekësor i klubit spanjoll konstatoi se “Pirati” do të mungonte 4-6 javë.
Mirëpo, shërimi i tij nuk shkoi sipas planeve dhe parashikimeve.
Tash, mediumi spanjoll “okdiario” raporton se klubi i La Ligas nuk pret që futbollisti prizrenas të rikthehet para vitit 2024, përcjell Gazeta Express.
Fillimisht pritej që Muriqi do të ishte në dispozicion për ndeshjen e kësaj jave ndaj Almerias, por tërheqja muskulore i doli “dardhë me bisht”.
Lojtari do të mungojë sigurisht edhe në ndeshjen e fundit të vitit kundër Osasunas në Palma pasi lojtari kosovar nuk i është bashkuar ende ekipit në ushtrime.
Pra, Mallorca do ta presë ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lazios që nga fillimi i vitit të ri.
Më saktësisht, Muriqi mund të rikthehet në lojën e parë të vitit 2024 në “Santiago Bernabeu” kundër real Madridit, e paraparë të zhvillohet më 3 janar.
Deri tash, 29 vjeçari i ka humbur ndeshjet ndaj Atlético Madrid, Cádiz, Alavés e Sevillas.
Gjithashtu, nuk ishte as në lojën e Copa del Rey kundër Valle de Egüés, e s’do të jetë as ndaj Almerias dhe Osasunës.
Mallorca po e vuan mungesën e lojtarit kryesor, i cili ka qenë vendimtar në sezonet e fundit, e që trajneri Javier Aguirre s’mund të llogarisë në të në total prej shtatë ndeshjesh.