Murseli: Betohem se unë me fëmijët nuk kemi qenë në makinë kur u vra Liridona

11:26 | 29 Janar 2026
murseli:-betohem-se-une-me-femijet-nuk-kemi-qene-ne-makine-kur-u-vra-liridona

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli ka deklaruar në seancën gjyqësore se në momentin kritik, pak para vrasjes së Liridona Ademajt, një person i maskuar i ka ndalur në rrugë dhe ka kryer grabitje, duke insistuar se as ai dhe as fëmijët nuk kanë qenë në veturë në çastin kur është qëlluar bashkëshortja e tij.

Gjatë dëshmisë para trupit gjykues, Murseli përshkroi në detaje lëvizjet e familjes, ndalesën në një pompë derivatesh dhe në market, si dhe situatën që sipas tij ndodhi disa qindra metra para mbërritjes në shtëpinë e tyre në Bernicë, duke edhe e mohuar që kishte mbajtur me dorën e tij të djathtë Ademajn, sic edhe thuhet në aktakuzë.

“Rrugës për në shtëpi jemi ndalur në ‘Shell’ dhe e kam mbushur kerrin full që Liridona mund ta ketë për krejt javën. Nga aty jemi nisur në shtëpi dhe rrugës më thotë Liridona mu ndal me blerë vezë në marketin. Siç e ka pohuar edhe dëshmitari, jam dalë, kam hy brenda, kam blerë vezë, pronari më dhe edhe çokollata me ju dhënë fëmijëve dhe vezët i vendosa në gepek dhe jemi nisur. Kam vazhduar në drejtim të shtëpisë në Bernicë dhe nuk e di sa, 500 metra para se me mbërri në shtëpi, papritmas nga ana e majtë e imja, nga therrat del një person i maskuar në mes të rrugës duke drejtuar armën në drejtim tonin. Unë isha vozitës, Liridona pasagjere, fëmijët mbrapa.  Liridona thotë: ‘O kuku hajni’. Unë e ngadalësova, i çoj duart krejt kohën dhe personi i maskuar afrohet, ishte në mes dhe vjen te dritarja ku ishte Liridona ulur, Liridona e hap dritaren gjysë apo nuk e di sa. Unë i kisha paratë në xhep se kulet nuk mbaj dhe ato ia dha, ai e zgjatë dorën, ai merr paratë dhe Liridona ia jep edhe telefonin edhe paratë. Disa qindra euro, jo më shumë. Unë kam menduar se grabitja po bëhet për veturë, nuk ka qenë i parkuar makina e tij, kam menduar që po grabitet vetura, kjo është arsyeja që kam dalë nga vetura. E kam zgjatur dorën nga tavani i kerrit dhe e ka marrë telefonin tim. E kam hapur derën e kerrit të fëmijëve, fëmijët kanë vrapuar edhe unë kam vrapuar pas tyre, duke menduar se ai do të ulet në veturë dhe do ta marrë veturën. Dhe pas vetëm disa sekondave kam dëgjuar krismën, më janë dukur dy krisma, në atë moment kam menduar që po shtinte në drejtim tonin, nuk kam guxuar të kthehem prapa. Pas disa sekondave kthej kokën prapa e shoh që nuk është Liridona”, tha ai.

Ai mohoi që ka ka mbajtur me dorën e djathë të ndjerën për ta goditur plumbi, e ku sipas tij nuk ka qenë ai edhe fëmijët në veturë kur është vrarë e ndjera Ademaj.

“Pas disa sekondave vjen vetura e zezë dhe në atë moment makina vjen në drejtim timin dhe fëmijëve, ishte shumë afër për të na goditur, nuk e di a ka humbur kontrollin a çka, unë kam kapur fëmijët. Ai ka vazhduar, i njëjti ka qenë me maskë. Unë në aktakuzë akuzohem që kam mbajtur me dorë të djathtë gruan time në momentin kritik. Unë ju betohem në dy fëmijët e mi, betohem se nuk kam qenë as unë as fëmijët në makinë kur është vrarë Liridona”, tregon ai.

Para trupit gjykues, Muresli thotë se kishte dashtë të kthehej te vendi ku la Liridonën, por që fëmijët nuk ia lëshonin dorën.

“Kur deshta me u kthy te Liridona, fëmijët nuk ma lëshuan dorën se frikoheshin, unë vrapova te dyert e shtëpive tri herë, por nuk e hapi askush. Doli një grua në shtëpinë e fundit në dritare, e moshuar ishte, i them lajmëro policinë, ajo thotë nuk e di. Kjo është arsyeja pse kam vazhduar te marketi sepse nuk mora ndihmë aty.  Nga pronari i marketit kam kërkuar që të kthehem, ai më ka thënë prit derisa të vijë policia. Unë në vendngjarje kam shkuar me polici, por nuk më kanë lënë me dalë në vendngjarje”, thotë Murseli.

Komento: